Kosova

Mikrobiologu Raka: Nëse shtohen rastet, mbyllja e sërishme, opsion real

Nëse shtohen raste që kërkojnë hospitalizim, mbyllja e sërishme shihet si opsion real nga mikrobiologu kosovar, Lul Raka.

Mikrobiologu Lul Raka, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, tha se nëse rritja e numrit të rasteve të reja me koronavirus shkon paralelisht me numër të madh të rasteve që kërkojnë hospitalizim dhe kujdes intensiv, atëherë mbyllja e sërishme e vendit është opsion real.

Në Kosovë vetëm gjatë ditës së diel janë regjistruar 40 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

“Përveç numrit të rasteve, faktor vendimtar mund të jetë struktura klinike e këtyre rasteve të reja. Nëse ato janë raste të lehta të kontaktit familjar (disa edhe asimptomatike), të cilat nuk kanë nevojë për hospitalizim, atëherë ato janë të menaxhueshme për sistemin shëndetësor dhe nuk ka nevojë për mbyllje të sërishme. Nëse rritja e numrit të rasteve të reja shkon paralelisht me numër të madh të rasteve që kërkojnë hospitalizim dhe kujdes intensiv, atëherë mbyllja e sërishme është opsion real”, tha Raka përmes një postimi në Facebook.

Ai kërkoi nga qytetarët e Kosovës që t’i respektojnë masat mbrojëse, në mënyrë që virusi të mbahet nën kontroll.

Qeveria e Kosovës, një ditë më parë, ka miratuar disa masa lehtësuese, të rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Për rrjedhojë është hequr orari i kufizimit të lëvizjes së qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00, si dhe ka rinisur mësimi për klasat e nënta.

Lehtësimi i masave të izolimit ka nisur të bëhet gradualisht qysh më 4 maj.

Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus më 13 mars, janë regjistruar 1,234 raste; prej tyre 31 pacientë kanë vdekur dhe 890 pacientë janë shëruar./albinfo.ch