Kosova
Gazeta zvicerane: “Presidenti i Kosovës po minon demokracinë”
Gazeta "20 Minuten" e Zvicrës i ka kushtuar sot një artikull të zgjeruar situatës në Kosovë, në dritën e ndërrimit të pushteteve, i cili ndodhi atje të mërkurën
“Qeveria në Kosovë është ndërruar, pa pëlqimin e popullit. Komuniteti kosovar në Zvicër është zemëruar”, e fillon kështu artikullin gazetari i gazetës zvicerane “20 Minuten”, i cili, për të përshkruar gjendjen aktuale në Kosovë, ka marrë edhe mendimin e pjesëtarëve të komunitetin shqiptar të Zvicrës”.
Në vazhdim, artikulli i përkthyer në gjuhën shqipe nga albinfo.ch.
Kosova po kalon kohë të trazuara: pas vetëm disa javësh në detyrë, Kryeministri Albin Kurti duhej të linte vendin e tij përsëri në mars. Disa ditë më parë, pasardhësi i tij Avdullah Hoti mori detyrën – dhe kjo ndodhi, pa ju dhënë rasti popullit që të thotë fjalën e tij. Çfarë është duke ndodhur?
Partia e majtë Vetëvendosje e Albin Kurti kishte dalë fitimtare në zgjedhjet e mbajtura në tetor 2019. Kurti qe zgjedhur kryeministër nga parlamenti më 3 shkurt dhe një nga aktet e tij të para, ishte ulja e pagave të qeverisë, transmeton albinfo.ch.
Megjithë popullaritetin në rritje në mesin e njerëzve, qeveria e koalicionit me partinë e qendrës së djathtë LDK nuk zgjati shumë: Kur Kurti shkarkoi një nga ministrat e kësaj partie, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth trajtimit të krizës së koronavirusit, LDK tërhoqi besimin ndaj tij si kryeministër, më 25 mars.
Presidenti Hashim Thaçi me atë rast caktoi kandidatin e LDK-së, Avdullah Hotin, për të formuar një qeveri të re. Megjithë kritikat, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli të ligjshëm emërimin e tij kështu që, të mërkurën Hoti u zgjodh kryeministër i ri me shumicë të ngushtë, me vetëm një votë më shumë, përcjell albinfo.ch. Kurti e ka luftuar formimin e qeverisë së re dhe ka bërë thirrje për zgjedhje të reja.
Shumë zëra kritikojnë ndërrimin e qeverisë
Në komunitetin kosovar, shumë veta janë të zhgënjyer nga situata në vendin e tyre. Një nga ta është, për shembull, Shkumbin Gashi (29) nga Olteni: “Këto janë ditë të trishta për demokracinë tonë”, thotë ai, transmeton albinfo.ch. Situata aktuale minon gjithçka që është arritur deri më tani: “Qeveria e Kurtit kishte vendosur standarde të reja për mënyrën e qeverisjes me profesionalizëm të vendit. Sipas mendimit tim, ata bënë një punë të shkëlqyeshme duke luftuar kundër pandemisë Covid 19”, thotë Gashi.
Ai, në mënyrë të veçantë nuk e pëlqen mënyrën e krijimit të qeverisë së re: “Politikanët marrin vendime që nuk mbështeten nga populli”. Shumica e të njohurve të tij në Kosovë dhe Zvicër janë kritikë lidhur me ndryshimin e qeverisë”, thotë ndjekësi i studimeve të doktoraturës në psikologji. Shumë veta tani kërkojnë zgjedhje të reja. “Kjo tani nuk ka të bëjë me atë se cila parti mbështetet, por me faktin se populli ka fuqinë dhe mund të vendosë se kush duhet ta drejtojë vendin”.
Filloi peticioni
Edhe kosovari Bekim Hoti (47), i cili ka jetuar në Zvicër për 20 vjet, është kundër ndërrimit të qeverisë: “Kështu e humbet populli besimin në demokracinë kosovare”. Shumë veta kishin besuar në një ndryshim: “Kam frikë se shumë njerëz nuk do të votojnë më.”
Bekim Hoti ka njohje të shumta, si në Zvicër ashtu dhe në Kosovë: ai është aktiv në një shoqatë që mbështet partinë e Albin Kurtit. “Shumë miq të mi ndjehen të mashtruar”, thotë 47-vjeçari. Midis tyre nuk janë vetëm mbështetësit e Kurtit: “Përkrahësit e ish-partnerit të tij të koalicionit (LDK) gjithashtu janë larguar nga partia, përcjell albinfo.ch. Për më tepër, janë mobilizuar shumë njerëz që deri më tani kanë qenë apolitikë”.
Kjo është arsyeja pse Hoti ka shpresë: “Në tetorin e kaluar kishim ndjenjën se po fillonte një epokë e re. Kjo mund të ndodhë përsëri në zgjedhjet e ardhshme”. Gashi gjithashtu beson se së shpejti do të ketë zgjedhje. “Për momentin është e vështirë, për shkak të pandemisë. Por njerëzit duan ndryshim, presioni do të rritet”. Ky presion mund të shihet edhe në një peticion në internet që ka filluar të nënshkruhet në fillim të qershorit dhe bën thirrje për zgjedhje të reja: mbi 55,000 njerëz e kanë nënshkruar atë tashmë.
“Thaçi përdori mekanizmat e demokracisë për t’i anashkaluar ato”
Në vazhdim, gazeta ka intervistuar Dr. Bashkim Isenin, hulumtues politik dhe pedagog në Universitetin e Freiburgut, themelues i platformës albinfo.ch.
I pyetur për arsyen e simpatisë së madhe që gëzon Kurti, Iseni përgjigjet: “Ai është shumë karizmatik dhe i arsimuar. Me të dhe lëvizjen e tij Vetëvendosje në pushtet, për herë të parë në Ballkan pati një qeveri për të cilën ekzistonte bindja se po i shërbente popullit. Ai u ofroi një perspektivë sidomos kosovarëve të rinj”.
Cili është problemi me qeverinë aktuale?
“Thaçi përdori mekanizmat e demokracisë për t’i anashkaluar ato. Tani ai ka instaluar një kryeministër pa legjitimitet të popullit. Partitë dhe politikanët që tani erdhën në pushtet përfaqësojnë elitën e vjetër, të korruptuar”, është përgjigjur Iseni.
Pyetjes se çfarë pritet të ndodhë pas kësaj në Kosovë, dr. Iseni i përgjigjet: “Padyshim që do të ketë zgjedhje të reja – me siguri këtë vit. Në këtë kontekst mund të ketë edhe trazira sociale nëse tensionet e vjetra etnike shpërthejnë përsëri, përcjell albinfo.ch. Unë personalisht nuk jam shumë optimist. Është një mundësi e humbur, jo vetëm për Kosovën por për të gjithë rajonin”.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
Jeta në Zvicër
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch