Lajme

Zvicër: Bizneset e prekura, të paguajnë vetëm 40% të qirasë

Shuma e mbetur e qirasë, pra 60 për qindëshi i saj do t`i vihet barrë qiradhënësit, sipas vullnetit të Dhomës Nacionale

Bizneset e vogla të cilave u është dashur të mbylleshin për shkak të masave federale kundër koronavirusit, duhet të paguajnë jo më shumë se 40 për qind të qirasë së zakonshme për periudhën në fjalë. Këtë vendim e ka marrë sot Dhoma Nacionale e Parlamentit të Zvicrës, shkruan srf.ch.

Shuma e mbetur e qirasë, pra 60 për qindëshi i saj do t`i vihet barrë qiradhënësit, sipas vullnetit të Dhomës Nacionale, transmeton albinfo.ch. Por, kjo  zgjidhje nuk është ende përfundimtare, pasi që dhoma tjetër, ajo e kantoneve (Senati) duhet të merret ende me të.

Në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur në maj, dy Dhomat e Parlamentit nuk patën rënë dakord për një marrëveshje të tillë qiramarrjeje.

Por, edhe Këshilli Federal është kundër një rregullimi ligjor të këtij problemi. Ai dëshiron që qiramarrësit dhe pronarët të arrijnë në një marrëveshje të drejtpërdrejtë lidhur me pagesën e qirasë.