Tematike

Nga Zvicra në Kosovë dhe anasjelltas, në kohë pandemie

Deri më tani, përmes kompanisë Air Prishtina rreth 10.000 bashkatdhetarë janë kthyer në Zvicër, Gjermani, Suedi, Britani të Madhe dhe Austri në shtëpitë e tyre

Udhëtimi nga Zvicra drejt atdheut, ose prej atje drejt Zvicrës, është ndër temat më të përfolura gjatë këtyre javëve dhe muajve të pandemisë. Gjatë bisedës rreth udhëtimeve nga Zvicra e Gjermania për në trojet shqiptare, “Air Prishtina” gjegjësisht “Chair Airlines” janë emra që nuk mund të anashkalohen. Për të njoftuar lexuesit tanë me hollësitë rreth fluturimeve në këto relacione, albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me Zonjën Leyla Salahi – Ibrahimi, drejtuese e kompanisë Air Prishtina.

Albinfo.ch: Në këtë kohë pandemie, sa persona janë riatdhesuar nga ju deri më tani në Kosovë dhe në Maqedoni Veriore?

Leyla Salahi-Ibrahimi: Në rastin tonë, të shqiptarëve, fluturimet për riatdhesim zhvillohen në dy drejtime, nga njëra anë drejt Zvicrës apo shteteve të BE-së, dhe nga ana tjetër drejt Kosovës dhe Maqedonisë Veriore.

Deri më tani ne kemi kthyer nga Kosova më shumë se 4500 bashkatdhetarë në Gjermani, mbi 4000 në Zvicër, rreth 450 në Suedi si dhe nga 150 në Austri dhe në Britaninë e Madhe. Veç këtyre, ne kemi kthyer nga Shkupi rreth 400 bashkatdhetarë në Zvicër dhe rreth 150 në Gjermani. Në anën tjetër, nga Zvicra, Gjermania dhe Suedia  ne kemi riatdhesuar rreth 850 bashkatdhetarë në Kosovë dhe 100 të tjerë, në Maqedoninë Veriore.

Ka shumë bashkatdhetarë që kanë ardhur në Zvicër me viza të përkohshme dhe ju ka skaduar afati i tyre. A ju paraqitet ndonjë problem këtyre personave në riatdhesim?

Pasi që Kosova dhe Maqedonia Veriore kanë vendosur një ndalesë hyrje për të gjithë, me siguri se ka probleme. Të gjitha këto riatdhesime realizohen vetëm përmes Ambasadave të Kosovës, të cilat bëjnë listat me rastet urgjente. Veç kësaj, të gjithë të riatdhesuarit mbahen në karantinë për 14 deri 21 ditë. Problem tjetër është që për shembull, në Kosovë nuk ka në dispozicion vende të mjaftueshme për karantinë. Kjo e kufizon automatikisht në mënyrë enorme numrin bashkatdhetarëve të riatdhesuar.

A keni informacione se sa është numri i bashkëatdhetarëve që do të riatdhesohen në ditët në vijim?

Informacionet variojnë. Duhet të jenë në mes 700 dhe 1000 persona në Zvicër dhe një numër i ngjashëm në Gjermani. Në vendet skandinave janë rreth 250 persona.

A ka kërkesa edhe në Kosovë për të udhëtuar drejt Zvicrës, apo aeroplanët nisen të zbrazët?

Deri më tani këtë linjë e kemi fluturuar pothuajse ekskluzivisht vetëm me pasagjerë nga Kosova drejt Zvicrës. Ndërsa fluturimet drejt Prishtinës kanë qenë të zbrazëta.

Kur do të ketë fluturime të reja drejt Zvicrës në mënyrë që qytetarët të jenë të informuar?

Kjo varet para së gjithash nga Kosova dhe Maqedonia Veriore, nga koha kur ato do t`i hapin kufijtë. Zvicra, nga ana e saj, nuk ka shpallur ndonjë ndalesë të përgjithshme të fluturimeve dalëse. Zviceranët dhe të huajt me qëndrim të përhershëm në Zvicër kanë të drejtë të udhëtojnë.

Si duhet të aplikojnë qytetarët për riatdhesim, a ka ndonjë sistem online të aplikimit?

Gjithçka bëhet në mënyrë telefonike përmes Ambasadës së Kosovës në Bernë.

 

Drejt cilave aeroporte të Zvicrës do të ketë fluturime?  

Deri më sot ne kemi fluturuar drejt Cyrihut dhe Bazelit.

A ka ndonjë risi sa i përket mënyrës së akomodimit të pasagjerëve (ulëset) në aeroplan, pra sa i përket distancës së tyre, apo nga kërkesa e madhe e tyre nuk  mundësohet distanca?

Është diskutuar shumë që ulësja e mesme të lihet e zbrazët. Por kjo nuk shihet e nevojshme pasi që ajri në aeroplan është i pastër si në një sallë operacioni. Por natyrisht, do të ketë detyrim për mbajtje të maskës në aeroplan, gjatë fluturimit dhe sigurisht, edhe në aeroport. Kjo do të vlejë gjatë 6-8 javëve në vijim.

Në rast se dikush nga pasagjerët ka simptoma të virusit gjatë fluturimit, çfarë masash ndërmerrni?

Të gjithë pasagjerët kur ta bëjnë “çekinin”, pyeten për gjendjen e tyre shëndetësore. Në aeroplan lejohen vetëm personat që nuk kanë simptoma të virusit.

Si dhe nga kush erdhi ideja e bërjes së simbolit të zemrës në qiellin e Kosovës?

Nga ne, nga Air Prishtina.

Ulëset në aeroplan nuk hiqen por duhen vënë maskat

Është diskutuar shumë që ulësja e mesme të lihet e zbrazët. Por kjo nuk shihet e nevojshme pasi që ajri në aeroplan është i pastër si në një sallë operacioni. Por natyrisht, do të ketë një detyrim për mbajtje të maskës në aeroplan, gjatë fluturimit dhe sigurisht, edhe në aeroport. Kjo do të vlejë gjatë 6-8 javëve në vijim.

Intervista është publikuar në magazinën albinfo.ch, edicioni maj 2020