Kosova

Nga 3 muaj pandemi, Kosova ka vetëm 205 raste aktive me COVID-19

Është bërë e ditur se nga 8 shkurti deri më 29 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR janë testuar gjithsej 14.635 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë 1.064 raste, me gjithsej 30 raste të vdekjes, të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Nga statistikat e pasqyruara thuhet se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 829 raste.

Vetëm dje janë testuar gjithsej 311 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, ku nga numri i përgjithshem i testeve, janë konfirmuar 12 raste pozitive.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrur të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve, duke i obliguar për vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptoma.