Lajme

Kur mund të ndodhë vala e dytë e Koronavirusit

Kur parashihet të shpërthejë vala e dytë e pandemisë koronavirus?

Fillimisht dukej sikur masat e izolimit do të zgjasnin së tepërmi, mbase deri në fund të pushimeve verore. Kështu ishte deri para rreth dy javësh. Mandej, krejt papritmas, moti ndryshoi – si në aspektin atmosferik, ashtu edhe atë metaforik. Kufizimet kanë nisur tani të hiqen në Gjermani, Spanjë, Greqi dhe gjetkë.

Edhe Mbretëria e Bashkuar, e cila ka përjetuar numrin më të lartë të infeksioneve dhe vdekjeve nga COVID-19 në Evropë, është duke menduar për “rihapjen e ekonomisë”, bazuar në atë që kanë kërkuar zyrtarët më të lartë gjatë ditëve të fundit.

Në fillim të muajit, India ka zgjatur masën e saj të izolimit për edhe dy javë të tjera, shkaku i shqetësimeve në rritje se nëse vendet i heqin shumë herët kufizimet, bota mund fare lehtë të përballet me një valë të dytë të infeksioneve. Vala e dytë është pak a shumë e pashmangshme. “Ky virus mund të jetë shndërruar në një tjetër virus endemik në komunitetet tona”, ka thënë mjeku Mike Ryan i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjatë një konference për shtyp të transmetuar drejtpërsëdrejti më 13 mars.

“Ky virus mund të mos zhduket kurrë” – Ryan, drejtor ekzekutiv i OBSH-së për Programin e Emergjencave Shëndetësore, ka aluduar se viruset e tjera, si HIV-i, nuk janë zhdukur asnjëherë. Në vend të kësaj, janë zhvilluar ilaçe që e zbusin ndikimin e tyre dhe populli është mësuar që të bashkëjetojë me ta, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch

Vetëm pak viruse vdekjeprurëse, si ai i lisë, janë çrrënjosur tërësisht. Të tjerët jetojnë në komunitete. Disa, si tuberkulozi, rikthehen dhe historia ka treguar se vala e dytë e një pandemie mund të jetë akoma më e rëndë se e para. I tillë ishte rasti me pandeminë e gripit spanjoll të 1918-s, i cili vazhdoi të rishfaqej derisa nuk u dorëzua më 1920. Andaj, a do të duhej të ishim më të duruar? A do të duhej t’i vazhdonim izolimet?

Eksperimenti i kontrolluar i Gjermanisë?

Kur shkalla e bartshmërisë së virusit ra në shkallën prej 1 në 0.76 për qind në fund të prillit, qeveria dhe autoritetet shëndetësore gjermane u pajtuan që t’i rihapin pjesërisht shkollat për nxënësit që duhej t’u nënshtroheshin testeve, apo që po kalonin prej shkollimit fillor në atë të mesëm gjatë vjeshtës. Shkollat nisën t’i ridizajnojnë klasat dhe oborret, për t’i shndërruar ato në zona të sigurta, për të siguruar që i përmbushin kriteret e distancimit fizik dhe higjienës.

Por, para se shkollat dhe nxënësit e tyre ta kenë shansin që të rikthehen në klasa dhe t’i testojnë ad hoc këto masa të sigurisë, qeveria vendosi që t’i zbusë kufizimet edhe më shumë. Tani, edhe fëmijët më të vegjël do të rikthehen në shkolla, njëherë vetëm për një ditë. Kopshtet zoologjike dhe muzetë do të rihapen po ashtu bazuar në rregullat e reja të distancimit fizik, për të siguruar që njerëzit të qëndrojnë larg njëri prej tjetrit.

Por, nuk ka shenja të rregullave të tjera në këndet e lojërave, të cilat janë rihapur që prej 7 majit, dhe ku masa e distancimit fizik prej 1.5 metrash ndërmjet fëmijëve shumë shpejt është tkurrur në 1.5 centimetra. Por, a është ky një eksperiment i kontrolluar për sjellje më të mirë? Gjermania, mbi të gjitha, është një demokraci e “ndërtuar mbi besim”, ka thënë kancelarja Angela Merkel javën e shkuar, teksa shpalosi zbutjen e masave.