Tematike

DAIGS ndihmon Kryqin e Kuq Zviceran me 15 mijë franga

Për ta ndihmuar në luftën kundër pandemisë.

Unioni i Bashkësive Islame Shqiptare të Zvicrës (DAIGS) i ka dorëzuar dje Kryqit të Kuq Zviceran (KKZ) një donacion prej 15 mijë frangash për përballimin e situatës së shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Kryesia e Unionit, duke e parë si përgjegjësi fetare dhe qytetare që në këtë kohë pandemie i gjithë njerëzimi duhet të solidarizohet me njëri-tjetrin, para pak kohësh shpalli javën e solidaritetit me Kryqin e Kuq Zviceran. Këtij apeli iu përgjigjën xhamitë anëtare të Unionit, të cilat kontribuan sadopak me një shumë modeste në të mirë të njerëzve dhe shoqërisë ku jetojmë.

Përmes këtij donacioni kemi synuar që të solidarizohemi dhe të mbështesim Kryqin e Kuq Zviceran dhe në të njëjtën kohë të jemi sa më pranë njëri-tjetrit në këtë situatë të vështirë që ka përfshirë jo vetëm Zvicrën, por gjithë botën.

Dorëzimi solemn i donacionit u bë dje në hapsirat e Kryqit të Kuq Zviceran në Bernë. Të pranishëm ishin znj. Alja Sieber, përgjegjëse për partneritet me organizata dhe ndërmarrje në KKZ, z. Mehas ef. Alija, kryetar i DAIGS-it dhe z. Ismail Ademi, anëtar i kryesisë së DAIGS-it.