Tematike

Ka mbajtur mbyllur gruan dhe foshnjën, 13 muaj burg për kosovarin

Kjo marrëdhënie ka përfunduar me akuzën për privim të shumëfishtë të lirisë (mbajtja mbyllur me orë të tëra, e nënës dhe fëmijës në dhomën e gjumit), kërcënime me vdekje, sulm etj.

Javën që shkoi një 32-vjeçar është përgjigjur para Gjykatës së Lartë (kantonale) të Solothurnit. Ndër të tjera, ai ishte akuzuar për dhunë në familje dhe privim të shumëfishtë të lirisë.

Një çift binacional, ai kosovar, ajo zvicerane dhe djali i tyre i vogël, jetonin në banesën e prindërve të burrit, në një fshat në regjion, shkruan gazeta Solothurener Zeitung. Marrëdhënia mes çiftit është prishur më së voni kur ka lindur fëmija, në qershor të vitit 2015, transmeton albinfo.ch. Dhe kjo marrëdhënie ka përfunduar me akuzën për privim të shumëfishtë të lirisë (mbajtja mbyllur me orë të tëra, e nënës dhe fëmijës në dhomën e gjumit), kërcënime me vdekje, sulm, dëmtim prone dhe abuzim. Të gjitha këto pretendohet se i ka bërë i akuzuari ndaj gruas.

Një arsye për zhgënjimin e tij duket të jetë fakti që gruaja, duke punuar me kohë të pjesshme si parukiere, fitonte pjesën më të madhe të të ardhurave në shtëpi ndërsa ai vetë punonte vetëm në mënyrë sporadike, përcjell albinfo.ch. Apo mund të jetë fjala këtu për një grua hakmarrëse që dëshiron ta hedhë në burg tashmë ish-dashnorin, me akuza të rreme?, shkruan gazeta. Dhe këtë mund ta bënte nga xhelozia pasi që ai e ka braktisur atë për një grua tjetër me të cilën tani është i martuar dhe gjithashtu ka një fëmijë?

Përveç dy ish-partnerëve që janë në konflikt, në proces ka qenë edhe një dëshmitar i cili ka dëshmuar se ishte sulmuar nga i pandehuri në një qendër fitnesi në vjeshtë të vitit  2017. Me atë rast, nga kamera e mbikëqyrjes ishin regjistruar disa goditje në kokë. Për më tepër, nga i akuzuari janë sekuestruar disa armë, tranmseton albinfo.ch. Vlerësimi i telefonave të gruas ka zbuluar mesazhe në të cilat i akuzuari e fyente atë si një “lavire”.

Të gjitha këto kanë shtyrë gjykatësin të pyeste të akuzuarin: “Mund të jetë që ju të keni një problem me agresionin?”. Pyetje të cilës ai, natyrisht iu përgjigj me mohim.

Prokurori sugjeron kompromis

Gjykatësi i vetëm i çështjes, në procesin e shkallës së parë, në maj të vitit të kaluar kishte dënuar të pandehurin me 13 muaj burg. Në këtë mënyrë ai kishte rritur mbi dyfish masën e dënimit, të kërkuar nga prokurori. Ndërsa tani, prokurori ka kërkuar nga shkalla e dytë një dënim me burg 12 muaj pa kusht, përcjell albinfo.ch. Kjo mund të zbatohet në atë mënyrë që i dënuari të mbajë burgun gjysmë të hapur – kufiri i sipërm i të cilit do të ishte dymbëdhjetë muaj. Me këtë rast duhet të merret në konsideratë fakti që i akuzuari tani ka një jetë të rregullt me gruan e tij dhe fëmijën e dytë. Pastaj për të thuhet se ka hequr dorë nga përdorimi i drogës, punon në profesionin e tij si mjeshtër dhe ka të ardhura të rregullta. Me to ka filluar të paguajë “malin” e borxheve në të cilat është futur. I pandehuri ka deklaruar se ka borxhe prej 200,000 frangash.
Avokati i tij mbrojtës e ka klasifikuar procedurën si një “luftë”, qëllimi i vetëm i së cilës ishte privimi i babait nga e drejta për të vizituar të birin, transmeton albinfo.ch. “Ky teatër ka filluar kur u mor vesh se i dyshuari kishte një të dashur të re”, ka argumentuar avokati. Viktima e pretenduar (ish bashkëshortja e të akuzuarit) po bën gjithçka që mundet për t`i hedhur të akuzuarit një hije të keqe. “Por kur asaj i kërkohet të specifikojë diçka, ajo nuk mund të kujtojë asgjë saktësisht.”
Megjithatë, Gjykata e lartë nuk ishte në gjendje ta merrte këtë argument të avokatit. Ajo ka klasifikuar si të besueshme dëshminë e viktimës dhe disa dëshmitarëve ndërsa disa deklarata të të akuzuarit “të dhunshëm dhe agresiv” i ka gjykuar si të rreme. Gjykata në këtë mënyrë ka mbështetur dënimin e gjykatës së shkallës së parë dhe i ka shqiptuar të akuzuarit një dënim me burgim të pjesshëm prej 13 muajsh. Gjysma e dënimit është pa kusht, pra, burg efektiv ndërsa pjesa tjetër me kusht për një periudhë prove pesë vjeçare. I akuzuari, në këtë kuadër, është liruar nga akuza se ai e kishte kafshuar djalin e tij njëvjeçar vesh. Kjo pikë është tashmë përfundimtare.
Për shkak të vlerësimit të gjykatës se dënimet e deritashme me gjobë-me kusht nuk kanë dhënë ndonjë efekt, i dënuari tani duhet të paguajë një gjobë të mëhershme prej 150 njësish ditore nga 20 franga ose të qëndrojë pesë muaj më shumë në burg, përcjell albinfo.ch. Në kuptimin e një “shansi vërtet të fundit” që i ofrohet nga gjykata, ai mund të vuajë dënimin me burg në gjysmë të hapur.