Lajme
Austria ndihmon Kosovën me pajisje dhe artikuj mbrojtës
Ky donacion është pjesë e projektit rajonal Promovimi i Zgjidhjeve Gjithëpërfshirëse të Tregut të Punës në Ballkanin Perëndimor
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka dorëzuar pajisje dhe artikuj mbrojtës, donacion nga Austria, Ministrisë së Financave dhe Transfereve për të përmirësuar shërbimet e tyre gjatë pandemisë.
Besnik Bislimi, Ministër i Financave dhe Transfereve, Sh.T. Christoph Weidinger, Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Maria Suokko, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, zyrtarë të MFT-së dhe UNDP-së ishin të pranishëm në dorëzimin që u zhvillua në hapësirat jashtë Ministrisë së Financave dhe Transfereve, shkruajnë mediat në Kosovë, përcjell Albinfo Austria
Ky donacion është pjesë e projektit rajonal Promovimi i Zgjidhjeve Gjithëpërfshirëse të Tregut të Punës në Ballkanin Perëndimor (ILMS II) i financuar nga Agjensia Austriake e Zhvillimit (ADA). Projekti synon të lehtësojë punën e Divizionit dhe Qendrave për Punë Sociale në implementimin e Pakos Emergjente Fiskale të Qeverisë në përgjigje të COVID-19.
Divizioni i Ndihmës Sociale është përgjegjës për zbatimin e masës 15 të Pakos Emergjente Fiskale të Qeverisë, e cila përcakton pagesën prej 130 Euro në muaj për muajt prill, maj dhe qershor për qytetarët që jetojnë në kushte të rënduara sociale, të deklaruar si të papunë dhe që nuk janë përfitues të të ardhurave mujore nga sektori publik ose privat dhe ofrimi i shërbimeve të tjera sociale për qytetarët e Kosovës. Roli i QPS-ve është edhe më i rëndësishëm tani, gjatë pandemisë, pasi ato ofrojnë shërbime për njerëzit më të prekur në Kosovë, përfituesit e ndihmës sociale. Aktualisht në Kosovë ekzistojnë 24689 familje që marrin ndihmë sociale dhe me numrin e shtuar të ofrimit të shërbimeve për përfituesit të masës 15, është me shumë rëndësi që këto shërbime të dorëzohen në mënyrë të duhur dhe në kohë. Mjetet e teknologjisë informative do t’u japin zyrtarëve mundësi të punës së pandërprerë edhe nga shtëpia,do të lehtësojnë komunikimin me klientët duke përmirësuar kështu cilësinë dhe afatin kohor të ofrimit të shërbimeve.
Ministri Bislimi gjatë pranimit të këtij donacioni tha: “Ne në Ministrinë e Financave dhe Transfereve kemi punuar me staf të reduktuar dhe jemi përpjekur të përmbushim të gjitha përgjegjësitë tona, me theks të veçantë ato që kanë të bëjnë me zbatimin e Pakos Emergjente Fiskale. Kjo kohë ka ndikuar që të reflektojmë dhe kuptojmë se kemi shumë miq pranë vetes. Andaj, jam i nderuar që sot si Ministër i Financave dhe Transfereve, të falënderoj UNDP-në dhe miqtë tanë, qytetarët dhe qeverinë e Austrisë, për këtë donacion me vlerë të lartë dhe të domosdoshëm. Ky donacion i është dedikuar lehtësimit të zbatimit të masave të Pakos Fiskale Emergjente për të prekurit. Shpresojmë që bashkëpunimi me UNDP-në do të vazhdojë dhe do të realizojmë edhe projekte të tjera të përbashkëta në të ardhmen”.
“UNDP është e përkushtuar që edhe gjatë pandemisë të mbështesë institucionet e Kosovës që të vazhdojnë me ofrimin e shërbimeve në mënyrë sa më efikase. Veçanërisht më të goditurit rëndë – nga aspekti social dhe ekonomik – nga efektet e pandemisë, duhet të marrin mbështetjen e nevojshme. Ne i jemi mirënjohës ADA-së për mbështetjen financiare dhe partneritetin që na mundësoi të shpërndajmë sot këto pajisje, si pjesë e bashkëpunimit tonë rajonal në mbështetje të zgjidhjeve gjithëpërfshirëse të tregut të punës “, tha Maria Suokko, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së.
Sh.T. Christoph Weidinger, ambasadori austriak në Kosovë, shprehu kënaqësinë e tij që merr pjesë në këtë ngjarje të dorëzimit: “Është kënaqësi për mua të jem sot këtu dhe të vrojtoj ndihmën e dorëzuar nga vendi im përmes Agjencisë Austriake për Zhvillim – ADA, duke e ditur që ky donacion do t’u ndihmojë drejtpërdrejt njerëzve të cilët ndihmojnë kosovarët më të prekur. Së bashku me partnerët tanë, ne mbështesim përpjekjet për të luftuar pandeminë COVID-19,” tha Ambasadori Weidinger.
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha