CH-Ballkani

Superliga e Kosovës në futboll rikthehet më 7 qershor

Kampionati i futbollit në Kosovë do të rikthehet më 7 qershor, kjo si rezultat i përmirësimit të situatës epidemiologjike në vend.

Pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për lejimin e garave në Ipko Superligën e Kosovës, Komiteti Ekzekutiv shqyrtoi mundësitë që në këtë rang të garave të nisin zhvillimi i stërvitjeve në përputhje me udhëzimin e Ministrinë e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

KE është i vetëdijshëm për situatën në të cilin gjendet Kosova, por po ashtu është i vetëdijshëm edhe për rëndësinë e përfundimit të garave në Ipko Superligë, pasi që ky rang i garave ka impakt edhe në garat evropiane, prandaj është edhe prioritet, që garat të zhvillohen në këtë ligë që të mos dëmtohen klubet që do ta fitojnë të drejtën e pjesëmarrjes në garat e Evropës.

KE thekson se rruga më e mirë është që gjithçka të vendoset në fushën e gjelbër.

Në këtë mënyrë klubet kanë mundësi të përgatiten mjaftueshëm deri në fillimin e ndeshjeve.

KE do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që ndeshjet të zhvillohen në mënyrën sa më të mirë të mundshme në përputhje me udhëzimet e institucioneve shtetërore.

Komiteti Ekzekutiv i Federatës falënderon Ministrinë Shëndetësisë, Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit si dhe organet e tjera për mirëkuptimin dhe vendimin e drejt në të mirë dhe interes të futbollit.

Ndonëse, në këtë fazë janë lejuar zhvillimi i garave vetëm për Ipko Superligën e Kosovës, KE varësisht prej situatës do të kërkojë që garat të lejohen edhe për rangjet e tjera, por gjithnjë duke mos rrezikuar shëndetin e qytetarëve, e me këtë edhe të futbollistëve.

KE do të jetë në përkrahje të klubeve, duke ditur gjendjen e tyre të vështirë, e sidomos tash në këtë kohë kur edhe përgatitjet e tyre kërkojnë më shumë shpenzime do të shikojë mundësitë që t’u dalë në ndihmë.

Komiteti do t’i ndihmojë klubet për mjete dizenfektuese dhe mjete të tjera të nevojshme.

KE u bën thirrje klubeve që t’u përmbahen me përpikëri udhëzimeve të institucioneve shtetërore dhe të FFK-së, raportojnë mediat kosovare, përcjell Albinfo.ch.