Kosova

Klubeve të futbollit në Kosovë u lejohen stërvitjet

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se që nga 18 maji klubeve të futbollit u lejohen aktivitetet stërvitore.

Drejtori i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, përmes një postimi në Facebook ka thënë se vendimi është marrë me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Këto aktivitete do të zhvillohen në pajtim me Udhëzimin për procesin stërvitor të dakorduar midis Federatës së Futbollit të Kosovës, MSH-së e IKSHPK-së dhe duke respektuar edhe Udhëzuesin e Përkohshëm për aplikimin e masave për parandalimin dhe luftimin e COVID-19. Prej periudhës 18 maj deri më 1 qershor, në pajtim me këta udhëzues, klubet e futbollit do të mund të zhvillojnë vetëm aktivitete stërvitore, për të qenë gati që ndeshjet t’i zhvillojnë në qershor, në varësi të situatës epidemiologjike”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, gjatë zhvillimit të aktiviteteve stërvitore pjesëmarrësit duhet t’i zbatojnë masat mbrojtëse, të ruajnë distancën fizike dhe të mbajnë higjienën sipas kushteve të përcaktuara në Udhëzues.

Po ashtu, Federata e Futbollit të Kosovës do ta ndajë këtë udhëzues me klubet e futbollit të Superligës si dhe do t’u japë atyre instruksione shtesë lidhur me mbarëvajtjen e stërvitjeve.

Të gjitha aktivitetet sportive në Kosovë u ndërprenë pas përhapjes së koronavirusit të ri që shkakton sëmundjen COVID-19.

Zyrtarët e FFK-së kanë theksuar se gjatë kohës së pandemisë financat e klubeve janë dëmtuar, për shkak të vështirësive financiare të vetë sponsorëve të këtyre klubeve, të cilët megjithatë nuk e kanë ndërprerë gjithë ndihmën për klubet. Sipas tyre, Federata ka ndarë mbi 600 mijë euro për të ndihmuar klubet në ligat e ndryshme ku zhvillohen garat.