Kosova

Kosovë: Çmimet e inputeve shënojnë rritje në tremujorin e parë

Në tremujorin e parë të vitit 2020, janë rritur çmimet e inputeve në bujqësi

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se kanë publikuar “Indeksin e Çmimeve të Inputeve në Bujqësi“ për tremujorin e parë të këtij viti.

ASK bën të ditur se ky publikim është i bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë.

“Në tremujorin e parë të vitit 2020, indeksi i input 1 ka rritje për 1.7%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Kurse, indeksi i Input 2 ka rritje për 7.8%”, thuhet në komunikatë”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon “Indeksin e Çmimeve të Inputeve në Bujqësi“ për tremujorin e parë (TM1 2020) ( 2015 =100)
ASK-ja ka bërë ndërrimin e vitit bazë të indeksit nga 2010=100 në 2015=100 sipas metodologjisë së Eurostatit.

Ky publikim është i bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IHÇK) në ASK.

Prodhimet, që krijojnë bazë për Indeksin e çmimit të inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2). Brenda grupit të Mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji; vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtje e materialeve, mirëmbajtje e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera.

Sa i përket mallrave dhe shërbimeve që kontribuojnë në investimet bujqësore, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesa dhe të tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punët e tjera përveç përmirësimit të tokës).

Në tremujorin e parë të vitit 2020, indeksi i input 1 ka rritje për 1.7%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Kurse, indeksi i Input 2 ka rritje për 7.8%.

Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i inputeve (Input I+Input II) ka rritje për 4.6%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.