Lajme

Mësohet data kur Gjermania do t’i hapë kufijtë për shqiptarët

Është bërë e ditur se Gjermania ka vendosur të hapë gradualisht kufijtë me disa nga vendet fqinje. Me Luksemburgun kufiri do të hapet qysh të shtunën, po ashtu pritet që së shpejti të ketë heqje të kontrolleve kufitare edhe me Danimarkën, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se këtë dhe lehtësime të tjera e bëri të ditur ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, të mërkurën, në Berlin, në një konferencë shtypi, pas mbledhjes se kabinetit te kancelares Angela Merkel. Për vendet e treta, ku hyn edhe Ballkani Perendimor, qeveria gjermane vendosi t’i bashkohet këshillës së ardhur po të mërkurën nga Brukseli për zgjatjen e ndalimeve deri më 15 qershor, shkruan DW.

Hapje graduale me fqinjët

Duke filluar që nga dita e shtunë kontrollet në kufi me Austrinë, Zvicrën dhe Francën nuk do të jenë më sistematike, por vetëm rastësore, tha ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer. Ndërsa në kufirin me Luksemburgun nuk do të ketë më kontroll, po ashtu heqja e kontrolleve pritet të ndodhë edhe edhe Danimarkën. „Për këtë jemi duke biseduar me qeverinë daneze“, tha ministri gjerman.

Meqenëse rregullorja e karantinës për njerëzit që vijnë nga jashtë është kompetencë e landeve federale, Seehofer, si ministër i mbarë Gjermanisë, mund të japë vetëm udhëzime: Dhe ai sugjeron që rregulli i karantinës dyjavore, siç është deri tani, të hiqet për shtetas që vijnë nga vendet fqinjë. Sipas ministrit gjerman, Gjermania synon të hapë kufijtë gradualisht edhe me vendet e tjera, si fqinje në lindje si Polonia dhe Çekia, por për këtë ende nuk ka një dakordim.

Mbeten të mbyllur kufijtë me Italinë e Spanjën

Sipas Seehoferit, të mbyllura do të mbeten udhëtimet nga Italia dhe Spanja, ku ende niveli i infeksioneve është i lartë. Për momentin nuk mund të mbajmë përgjegjësi për hapjen e kufijve me këto vende, tha ministri gjerman i Punëve të Brendshme. Horst Seehofer tha më tej se vendimi për hapjen e kufirit me këto vende do të bëhet në marrëveshje me Austrinë, Zvicrën dhe Francën, të cilat janë fqinje me to.

Hapja e sinjalizua nga Gjermania është e lidhur me një kusht: Që niveli i infeksioneve të jetë i njëjtë në të dyja anët e kufirit, dhe të mos ketë rritje. Si shifër orientuese Seehofer tha se vlen e njëjta që ka caktuar qeveria gjermane për zbutjen e masave parandaluese në Gjermani. Kjo do të thotë që numri i infeksioneve të reja mos jetë më i lartë se 50 në 100 000 banorë brenda një jave.

Komisioni i BE-së, me propozim për turizmin

Vetëm disa minuta pasi ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer, kishte bërë të njohur në Berlin se do të niste hapjen graduale të kontrolleve kufitare, në Bruksel doli edhe komisioni i BE-së me propozime të ngjashme. Komisioneri i tregut të brendshëm, Thiery Breton, tha se “izolimi i shteteve nuk është më mjet i përshtatshëm kundër pandemisë”.

Sipas tij, komisioni propozon hapjen hap pas hapi të kufijve, në ato vende ku pandemia është në të njëjtin nivel nga të dyja anët e kufirit. Kusht është që ato të kenë mjaft kapacitete për të testuar, të kenë shtretër në stacionet intensive dhe të dihet se nga kalojnë zinxhirët e infeksionit.

Ndërsa për zonën Schengen, komisioni këshillon një hapje graduale, përsa e lejon niveli i përhapjes së pandemisë, për vendet e treta, ku hyjnë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, SHBA-ja, Rusia, Kina, etj. Komisioni këshillon që masat aktuale të mbeten në fuqi deri më 15 qershor. /Albinfo.ch.