Tematike
Si ka ndikuar pandemia në sektorin e patundshmërive, sa janë dëmet në Zvicër?
Nëse keni një hipotekë, nuk keni nevojë të shqetësoheni për më të keqen për shkak të krizës së koronës. Sidoqoftë, kriza po krijon pengesa për dhënien e kredive për banim dhe ka prekur çdo sektor të ekonomisë zvicerane, përfshirë dhe sektorin e patundshmërive (Immobilien).
Çfarë thonë njohësit e kësaj fushe. Në një intervistë për albinfo.ch, Neshat Limani nga kompania “Limani Immo” flet për situatën e krijuar në sektorin e patundshmërive për shkak të pandemisë me virusin korona Covid 19.
Albinfo.ch: Turbullirat financiare në mbarë botën që erdhën si pasojë e krizës që solli pandemia e virusit korona Covid 19, pa dyshim që kanë ndikuar edhe në tregun zviceran të pasurive të patundshme! Si ka ndikuar kjo gjendje dhe sa janë dëmet?
Neshat Limani: Shqetësimet për të ardhmen e ekonomisë globale kanë çuar në uljen e normave të interesit në nivele të ulëta. Në fillim të marsit edhe shtetet me ekonomi më të qëndrueshme përjetuan rënien e tyre më të ulët disajavore në likuiditet që nga kriza financiare e vitit 2008, indekset botërore pësuan rënie nga 4 deri 12 %. Sigurisht që kjo rënie ekonomike globale ka ndikuar edhe në Zvicër, duke i ngrirë përkohësisht proceset e investimeve në fushën e patundshmërive si dhe ka ngadalësuar proceset e zhvillimit të ndërtimtarisë, pa dyshim që patundshmëria luan rol shumë të rëndësishëm në ekonominë zvicerane.
Albinfo.ch: Por, me siguri nuk ka ndikuar në uljen e çmimit të patundshmërive në Zvicër?
Neshat Limani: Mund të themi që kishte një luhatje të pazakontë sa u përket çmimeve, por jo siç ndodhi në krizën e vitit 2008 që preku sidomos biznesin e patundshmërive. Më shumë vlen të theksohet se krijoi një lloj pasigurie për bankat (të cilat luajnë rol shumë të rëndësishëm) posaçërisht te investitorët, korporatat e patundshmërive.
Interesante që vlen të veçohet, Fondi i Patundshmërisë në Zvicër, në krahasim me atë të disa shteteve të tjera, pësoi rënie më të vogël, diku 19%, sipas “Credit Suisse”, ndërsa shtete të tjera përjetuan rënie më të madhe nga 24% deri 39%.
Albinfo.ch: Po shitje-blerjet si janë zhvilluar gjatë pandemisë, Zvicra nuk kishte ndaluar për asnjë ditë sektorin e ndërtimtarisë?
Neshat Limani: Procesi i shitblerjes në Zvicër funksionon kësisoj: në momentin që një klient i interesuar vendos për të blerë një shtëpi apo objekt, me automatizëm ai ka fituar besimin te ne dhe ne jemi dakord bashkë për një marrëveshje. Pastaj me automatizëm i jepet noterit autorizimi për të përgatitur kontratën sipas marrëveshjes dypalëshe, meqë në Zvicër noterët janë ata që verifikojnë të gjitha, dhe të dhënat i japin vulën e marrëveshjeve, e cila bëhet e plotfuqishme sapo të nënshkruhet dhe noterizohet. Nga ky moment, varësisht sesa i ngarkuar është noteri, ndodh që përgatitja e kontratës të zgjatë 2 deri 5 javë, pastaj noteri i fton palët që të nënshkruajnë kontratën, d.m.th. ato shit-blerje që kanë ndodhur para mbylljes nga pandemia Lockdown-it (Izolimit) kanë vazhduar procesin e dakorduar tashmë normalisht, shumë të tjerë nuk janë ftuar që me prezencën e tyre fizike, siç ka qenë praktikë nga noterët shkaku i pandemisë, por ua dërgojnë materialet për t’i nënshkruar dhe i janë kthyer përsëri noterit, diku me postë e kështu me radhë, thjesht, janë munduar që t’i zëvendësojnë në mënyrë sa më të sigurt praktikat e mëparshme.
Sektori i ndërtimtarisë fatmirësisht nuk ishte ndërprerë plotësisht. Megjithatë, reduktim në orar të punës kishte dhe ka akoma, por objektet e kontraktuara për ndërtim dhe rinovim vazhduan, d.m.th. punëtorët në ndërtimtari nuk kanë qenë të obliguar që të izolohen, por mbase me kufizime që shumica e kompanive e kishin të vështirë t’u përmbaheshin plotësisht atyre rregullave, siç është rregulla aktuale maksimumi vetëm 5 persona në grup. Sektori i ndërtimtarisë përbëhet nga disa komponentë, nëse njëri nga ato faktorët mungon ose nuk është në hallkën e duhur të zinxhirit, gjithsesi do të bllokohet i gjithë procesi.
Albinfo.ch: Tashmë janë paralajmëruar masa lehtësuese për të dalë nga izolimi. Por stuhia nuk ka mbaruar akoma?
Neshat Limani: Sigurisht që stuhia nuk ka mbaruar akoma, por qartë duket që do të marrë fund izolimi ekstrem, dhe shpresojmë që të jetë edhe fundi i pandemisë dhe të fillojë normalizimi i gjërave. Por, të jemi të sigurt do të futemi në një epokë të re, asgjë nuk do të jetë saktësisht si më parë.
“Limani Immo” uron që të prekurit nga virusi Covid19 të shërohen sa më shpejt, ndërsa të tjerët të ndjekin rekomandimet e autoriteteve për masat në vijim.
Albinfo.ch: Luhatshmëria e pazakontë e tregut në investimet zvicerane të pasurive të patundshme ka të ngjarë të vazhdojë gjatë javëve të ardhshme?
Neshat Limani: Normalisht që stabilizimi dhe humbjet kërkojnë kohë. Kriza në gjuhën gjermane nënkupton (shans) një mundësi reflektimi, mundësi për të përmirësuar pengesat, duke krijuar strategji të reja se si më tutje dhe me çfarë ritmi të ecim!
Albinfo.ch: Në varësi të rrjedhës së mëtutjeshme të pandemisë dhe pasojave përkatëse ekonomike, si e shihni të ardhmen e tregut të patudshmërimeve?
Neshat Limani: Ne si kompani “Limani Immo” që merret me patundshmëri, shitje-blerje, ndërtim e renovim dhe mirëmbajtje të objekteve, mendojmë se ende është herët për të parashikuar të ardhmen e tregut zviceran të patundshmërive, por ajo që mund të them është se po kthehet ngadalë po i njëjti ritëm dhe lehtë është duke u shtuar interesimi për patundshmëritë zvicerane, sepse le të themi që ishte i vetmi sektor me një rënie të lehtë. Por, një është pa dyshim e vërtetë: sektori i patundshmërive mbetet si njëri ndër sektorët më të sigurt për të investuar në Zvicër.
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës