Tematike

Zvicra numëron 2 milionë e 125 mijë të huaj: Sa prej tyre janë shqiptarë?

Në statistikat zyrtare zvicerane, ashtu si dhe të çdo shteti tjetër, jepen vetëm numrat e të huajve sipas përkatësisë së tyre shtetërore dhe jo sipas asaj etnike

Në tre muajt e parë të vitit 2020, në Zvicër kanë emigruar 18386 më shumë njerëz në krahasim me gjendjen në fund të dhjetorit 2019. Kështu, në muajin mars 2020, në Zvicër kanë banuar 2,125.410 të huaj, thuhet në një komunikatë të SEM (Sekretariati Shtetëror për Migracion), transmeton albinfo.ch.

Kjo korrespondon me një pjesëmarrje prej 24.7 për qind, të të huajve në popullatën e gjithmbarshme të Zvicrës .

Imigrimi (ardhja e të huajve në Zvicër) është rritur për 9 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bën të ditur Sekretariati Shtetëror i Migracionit SEM. Nga ana tjetër, emigrimi, ose ikja nga Zvicra, është zvogëluar për 8.8 për qind.

Më 31 mars të këtij viti radhitja e të huajve sipas  numrit të tyre, në krahasim me tre muaj më parë mbetet e njëjtë, ashtu si dhe përqindja, me ndonjë ndryshim të vogël simbolik, shkruan albinfo.ch. Kështu, listës vazhdojnë t`i prijnë shtetasit e Italisë me 325.88 veta (15.3%), pas të cilëve vijnë shtetasit gjermanë (310.453 ose 14%), ata portugezë (263.168 ose 12%), francezët (141.784 ose 6.7% ).

Pas këtyre grupeve, në vendin e pestë sipas numrit të të huajve vijnë shtetasit e Kosovës, shkruan albinfo.ch. Ndonëse, duke numëruar 114.248 banorë, kosovarët kanë shënuar një shtim prej 448 banorësh në krahasim me dhjetorin 2019 (113.800), përqindja e tyre në numrin e përgjithshëm të të huajve mbetet e njëjtë, 5.4%.

Si zakonisht, do sqaruar se në statistikat zyrtare zvicerane, ashtu si dhe të çdo shteti tjetër jepen vetëm numrat e të huajve sipas përkatësisë së tyre shtetërore dhe jo sipas asaj etnike, shkruan albinfo.ch. Kjo lë të kuptohet se në Zvicër jetojnë dukshëm më tepër shqiptarë se sa numri i identifikuar në statistika si “shtetas kosovarë”. Po kështu, jashtë rubrikës së të huajve janë edhe ata shqiptarë që kanë marrë shtetësinë zvicerane.

Kështu, në numrin e përgjithshëm të shqiptarëve, përveç shumicës dërmuesve të “kosovarëve” do të hynin edhe shqiptarët nga Maqedonia, ata nga Shqipëria, nga Lugina e Preshevës dhe nga Mali i Zi.

Në vendin e shtatë sipas numrit të të huajve janë shtetasit e Maqedonisë, me 67.289 veta ose 3.2%. Edhe në këtë numër, shumica dërmuese janë shqiptarë.