Lajme

Mali i Zi me më shumë të shëruar se sa të infektuar me koronavirus

Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi njoftoi të martën se edhe nëntë persona, të diagnostikuar më herët me koronavirus, janë shëruar.

Me këtë shifër, numri i të shëruarve në këtë vend shkon në 199, ndërsa në fazë të shërimit janë 115 pacientë.

“Me kënaqësi mund të them se në Mal të Zi ka më shumë të shëruar sesa të infektuar me COVID-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi]”, tha Senad Begoviq, ndihmës i drejtorit të Institutit malazez të Shëndetit Publik.

Në Qendrën Klinike të Malit të Zi aktualisht janë të shtrirë tetë pacientë. Prej tyre, pesë janë në Klinikën Infektive dhe janë në gjendje stabile, një tashmë ka dalë negativ në testin për koronavirus, ndërsa dy pacientë janë të vendosur në respiratorë.

Në Mal të Zi kanë humbur jetën shtatë pacientë me koronavirus.