Lajme
Si po ndikon pandemia tek sipërmarrësit shqiptaro-amerikanë
Në Uashington dhe Nju Jork, disa pronarë shqiptarë thonë për Zërin e Amerikës se bizneset e tyre janë prekur nga COVID-19-ta dhe disa prej tyre shpresojnë të përfitojnë nga një paketë financiare e administratës Trump për të vazhduar punën. Paketa synon të ndihmojë firmat e vogla, që shihen si shtylla të ekonomisë amerikane, të mbajnë punëtorët në pritje të lehtësimit të masave të distancimit social. Me sipërmarrësit shqiptaro-amerikanë bisedoi kolegia Rudina Dervishi.
Shumë biznese në Shtetet e Bashkuara ndryshuan brenda ditës me vendosjen e masave shtrënguese për arsye të pandemisë.
Xhensila Velencia është pronare e kompanisë së kartolinave The Card Bureau:
“Covid 19 ka ndikuar shumë në biznesin tim sepse ne shesim kartolina dhe dhurata me shumicë nëpër 300 dyqane në Amerikë dhe kur ndodhi Covid 19 brenda ditës u mbyllën gjithë dyqanet dhe për ne u mbyll rruga sesi shesim mallin që kemi”.
Dyqani Cafe Chocolat në Uashington DC ka më shumë se një muaj që ka mbyllur dyert dhe pronari i tij është në pritje të ndihmës nga qeveria.
“Punëtorët e mi i kam… dmth janë pa punë për momentin, kanë aplikuar për ndihmë sociale dhe jam në pritje të ndihmës. Për momentin nuk kemi marrë asnjë lloj ndihme. Dmth përveç faktit që kemi aplikuar dhe nuk dihet se kur mund të marrim ndonjë ndihmë.Dhe ajo që është më e keqja nuk dimë se kur do i rikthehemi prapë punës”, thotë Gjergj Dollani.
Genc Rahmani nuk ka as tre muaj që ka hapur së bashku me të vëllanë kafenenë G’s në Manhatan. Ai nuk kualifikohet për ndihmë nga qeveria, pasi rregullat e paketës stimuluese kërkojnë që një biznes të ketë qënë në aktivitet të paktën për një vit. E ardhmja e biznesit të tij është e pasigurtë.
“Situatës duhet t’ja dalim me kursimet tona të cilat i kemi pasur deri tani. Ne po mbijetojmë me kursimet tona. Është pyetje shumë e vështirë. Shpresoj që kjo situatë të mbarojë për të gjithë ne, por sado të mundem do t’ja dal”, thotë Genci.
Në përpjekje për të mbijetuar, shumë biznese janë munduar të përshtaten duke shitur produktet e tyre online.
“Është një shitje që kërkon më shumë punë për më pak lekë megjithatë kjo na ndihmon për tani sepse po nxjerrim të ardhura për të mbuluar shpenzimet dhe të funksionojmë derisa të mbarojë kjo. Kjo kriza na ka forcuar të punojmë më shumë për më pak lekë, por besoj do na nxjerri më të fortë në fund”, thotë Xhensila Velencia.
Në prag të festës së nënave, Xhensila thotë se ka krijuar produkte të reja për të tërhequr klientët e saj të cilët nuk do të jenë në gjendje këtë vit të jenë pranë tyre.
Gjergji shpreson shumë tek klientela besnike që ka krijuar gjatë këtyre viteve në biznes, por megjithatë shumë do të varet thotë ai nga rregulloret e distancimit social kur dyqanet të hapin përsëri dyert.
“Kapaciteti ynë është rreth 40 persona këtu, dmth i bie që të mos kemi më shumë se 8 ose 9 veta në dyqan dhe është vështirë për një biznes si ky yni që mbijeton me trafik, të mbijetojë në situatë të tillë”.
Xhensila ka aplikuar për dy tipe kredish por nuk ka shumë besim se do të arrijë të marrë ndihmë nga qeveria. Ajo e shikon kohëzgjatjen e izolimit si faktorin kryesor për ti mbijetuar krizës.
“Po të më thuash është tre muaj, ok mund të bëjmë ca ndryshime që të mund të arrijmë deri atëhere. Por kur nuk e di sesa mund të shkojë, edhe kur të kthehen gjërat në normalitet, nuk e dimë sesi do jenë në gjendje dyqanet të blejnë siç blenin përpara. Kështu që për tani është vështirë të planifikojmë për këtë”.
“Shpresojmë që edhe qeveria lokale edhe qeveria shtetërore të marri parasysh situatën, duke na dhënë asistencë, duke na e bërë më të lehtë pagesat e borxheve ose të qerave. Duhet të jetë një proces që jo vetëm ne duhet të punojmë kundrejt, por duhet që edhe qeveritë lokale dhe shtetërore të na ndihmojnë, ndryshe unë nuk shoh biznese si puna e këtij tonit të mbijetojnë”, thotë Gjergji.
Në kafenë e tij të re, Genci ka vendosur të japë kafe dhe kruasant falas, çdo të martë dhe të enjte për punonjësit thelbësorë që u duhet të punojnë në këto ditë të vështira.
“Në të njëjtën kohë kemi me harxhu, nuk po e bëjmë për përfitim por po e bëjmë për siç e themi në gjuhën popullore zemërbardhësi ndaj personave që janë duke luftuar”.
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor