Koronavirusi: çast pas çasti

MPJD: Dhjetë shtetas të Kosovës kanë vdekur nga koronavirusi nëpër botë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se dhjetë shtetas kosovarë që jetojnë në diasporë kanë vdekur si pasojë e Coronavirusit, prej 42 sa janë të prekur nga ky virus.

“Sipas të dhënave të mbledhura nga misionet tona diplomatike, deri më tani nga virusi COVID-19 janë infektuar 42 persona, shtetas kosovarë ose që kanë edhe shtetësi të Republikës së Kosovës”.

“Nga këta të infektuar, 10 veta kanë ndërruar jetë, dhe sipas familjarëve shumica e viktimave kanë vuajtur edhe nga sëmundje të tjera kronike, kryesisht nga diabeti apo problemet me frymëmarrje”, është thënë në përgjigjen e MPJD-së.

Ata kanë bërë me dije se këto të dhëna janë mbledhur nga kërkesat për dokumentacione që kanë bërë familjarët e viktimave në ambasadat apo konsullatat e Kosovës.

“Këto të dhëna janë jozyrtare, ngase institucionet shëndetësore publike ruajnë privatësinë e qytetarëve dhe nuk japin të dhëna të tilla personale, përkatësinë etnike ose origjinën e pacientëve”.

“Këto të dhëna janë mbledhur nga kërkesat për dokumentacione që kanë bërë familjarët e viktimave në Ambasadat apo Konsullatat tona, si dhe nga kontaktet që diplomatët tanë kanë me bashkatdhetarë dhe përfaqësues shoqatash në Diasporë”, është thënë në përgjigjen e MPJD-së për EO.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave të COVID-19 dhe u ka bërë ftesë të gjithë bashkatdhetarët të vazhdojnë me kujdes dhe durim, deri në kalimin e kësaj gjendjeje të vështirë për mbarë njerëzimin, përcjell Albinfo.ch.