Lajme
Ramazani, këtë vit u përshtatet kushteve të reja, të pandemisë
Intervistë me kryetarin e Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, Mehas Alija, në prag të muajit të Ramazanit që këtë vit do të mbahet në kushte të jashtëzakonshme
Pandemia me virusin Corona do të jetë mbase një sprovë e vërtetë për besimtarët myslimanë në mbarë botën. Sepse nga pasojat e saj preken tri nga pesë shtyllat e besimit islam: shumë vende e kanë kufizuar lirinë e tubimeve dhe xhamitë janë të mbyllura sidomos gjatë periudhës njëmujore të agjërimit islam që fillon të enjten, më 24 prill. Për të mësuar se si do të organizohet komuniteti shqiptar në Zvicër, albinfo.ch ka realizuar një intervistë me kryetarin e Unioni të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, Mehas Alija.
albinfo.ch: Jemi në vigjilje të muajit të shenjtë të Ramazanit që për besimtarët myslimanë është ngjarja më e rëndësishme e vitit. Për ata që nuk kanë shumë njohuri, na tregoni ju lutemi, cila është domethënia e këtij muaji sidomos tani në kohë pandemie dhe si janë duke u bërë përgatitjet nga Unioni i Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër ?
Mehas Alija: Muaji i bekuar i Ramazanit është një nga muajt hënor në të cilin është bërë obligim agjërimi i ditëve të tij, gjegjësisht abstenimi nga haja, pija dhe nga marrëdhëniet intime, duke filluar nga koha e agimit e deri në perëndim të diellit, ndërsa netët e tij gjallërohen me adhurime specifike, siç është namazi i teravive. Fundi i Ramazanit karakterizohet me Natën e madhe, të njohur si nata e Kadrit, në të cilën natë ka zbritur Kur’ani, si dhe ndihma që jepet për nevojtarët me pagesën e fitrave. Kjo është ana sipërfaqësore, kurse, nga ana tjetër, ky muaj dallohet edhe me thellësitë e tij shpirtërore, me atmosferën shoqërore solidare, i plotësuar me mëshirën hyjnore dhe me virtyte të larta. Besimtarët gjatë muajit të Ramazanit akumulojnë vlera dhe mirësi, që pastaj, gjatë muajve të tjerë, të mund t’i zbatojnë në përditshmëri. Disiplina dhe edukata e krijuar gjatë Ramazanit, ndihmon që edhe pas tij, por edhe në tërë jetën, të jetohet “agjërueshëm” nga të ligat, punët e neveritshme, sjellja e keqe, etj. Agjërimi është testi më i mirë që provon sinqeritetin e njeriut besimtar.
Koha në të cilën tani jetojmë karakterizohet me pandeminë e koronavirusit Covid-2019, gjë që edhe për besimtarët dhe institucionet fetare përbën një shqetësim. Njerëzit pyesin se, vallë, ç`do të ndodhë me muajin e Ramazanit. Do të ketë agjërim apo jo, do të ketë namaz të teravive apo jo, do të ketë hapje të xhamive apo jo, të gjitha këto pyetje parashtrohen tek ne. Unioni i Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër po përgatitet që me kryesitë dhe imamët e xhamive të jenë sa më të koordinuar dhe të informojnë sa më drejtë komunitetin mysliman shqiptar në Zvicër. Ne mendojmë se agjërimi i muajit të Ramazanit nuk mund të pezullohet dhe as nuk mund të shtyhet për më tutje, siç pretendohet nga disa qarqe, porse ata që do të jenë të penguar ose të arsyetuar fetarisht, qoftë nga ndonjë sëmundje tjetër, qoftë edhe nga koronavirusi, do të mund t’i agjërojnë ditët e lëshuara në kohën kur të shërohen plotësisht. Ndërsa, sa i përket jetës aktive të xhemateve tona, në këtë Ramazan aktivitetet do të përshtaten me masat preventive që do të vazhdojnë të jenë në fuqi në periudhën në vazhdim.
Albinfo.ch: Sa ka ndikuar kriza me Coronavirusin në manifestimet fetare?
Mehas Alija: Ndërmarrja e vendimeve nga organet kompetente shtetërore për të caktuar masa si preventivë ndaj përhapjes së koronavirusit Covid-19, ishte një gjë e pa përjetuar deri më tani për komunitetin tonë, në tërë këto vite veprimtarie në shtetin zviceran. Mirëpo, si institucione që jemi, u munduam të tregojmë gatishmëri, guxim dhe përgjegjshmëri, andaj dhe, konform vendimeve, vendosëm që të pezullohet jeta aktive e xhemateve tona, përfshirë këtu faljen e namazeve me xhemat të namazeve ditore dhe të së premtes, si dhe mësim-besimin në mektebe. Kryesitë e xhamive dhe imamët tanë janë, gjithsesi, 24 orë në shërbim të komunitetit, por duke i respektuar të gjitha masat e parapara dhe tanimë të njohura për të gjithë ne. Mendoj se kriza e virusit Covid-19, për shkak të mos aktivizimit të xhemateve tona, do të lë pasoja dhe do të ketë një ngarkesë për menaxhim të mëtutjeshëm të xhamive, sidomos në rrafshin financiar, por ne mbesim me shpresë se kjo gjendje do të kalojë shpejt dhe se xhematet tona nuk do të harrojnë t’i kryejnë obligimet e tyre që kanë kundrejt xhamive.
Albinfo.ch: Si ia keni dalë të mbani ritualet e së premtes (namazin e xhumasë) këto ditë dhe të jeni në komunikim me besimtarët?
Mehas Alija: Me pezullimin e aktiviteteve fetare nëpër xhamitë tona, u pamundësua edhe falja e namazit të xhumasë. Kriza e virusit e bëri të veten dhe u detyruam të kërkojmë alternativa të tjera, ku u fokusuam në botën virtuale, pra online. Normalisht, namazet nuk mund të kryhen në këtë formë, online, por të paktën jemi munduar të paraqitemi me ndonjë aktivitet, sikur që janë thirrja e ezaneve, leximet kur’anore, ligjërata dhe emisione të ndryshme live. Si platforma janë shfrytëzuar rrjetet sociale, mjetet informative dhe aplikacionet e tjera të ndryshme. Në kuadër të Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, gjatë ditës së premte, në mungesë të hutbesë së xhumasë, është zhvilluar një seri ligjëratash nga kryesia dhe imamët e xhamive dhe kjo mendojmë të vazhdojë kështu derisa të normalizohen kushtet për kthimin në xhami. Thirrja jonë nga fillimi i krizës ka qenë që imamët të jenë më aktivë se kurdoherë tjetër.
Albinfo.ch: Si do t`i shënoni këto ditë Muajin e Ramazanit, pa prezencën e besimtarëve?
Ne patëm shumë shpresë se me lehtësimet e fundit që u bënë me datë 16.04.2020, nga ana e Qeverisë Zvicerane, do të kishte lehtësim edhe ndaj aktiviteteve tona në xhami, por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe gjendja e jashtëzakonshme në xhamitë tona do të vazhdojë edhe për një afat kohor të papërcaktuar. Ky Ramazan do të jetë i veçantë për ne dhe, normalisht, edhe me sfida të ndryshme. Ne kemi menduar që komunitetin tonë ta orientojmë në botën e internetit dhe aktivitetet e imamëve të prezantohen online. Do të ketë emisione të ndryshme, përfshirë këtu lexime online të pjesëve kur’anore, prezantime dhe ligjërime, mesazhe para iftarit nga imamët tanë, emisione dhe bashkëbisedime me mysafirë dhe pjesëtarë të xhemateve, si dhe shërbime të tjera fetare. Ndërkohë që mësim-besimi do të vazhdojë të mbahet me platforma online, sikur që tanimë ka filluar dhe funksionon mirë. Kurse, sa u përket namazeve ditore, të së premtes dhe të teravive gjatë netëve të muajit të Ramazanit, ato do të duhet edhe me tutje të kryhen në vendbanimet e besimtarëve, gjegjësisht në gjirin më të ngushtë familjar.
albinfo.ch: Me siguri se është hera e parë në historinë e myslimanëve, që Muaji i Ramazanit të shënohet ndoshta online. Ku mund t’i përcjellin besimtarët ritualet fetare për Muajin e Ramazanit?
Mehas Alija: Duke e pasur parasysh faktin që vetë organizimi i Haxhi, në histori, për shkak të epidemive të ndryshme, është anuluar më se dyzet herë deri në ditët tona, atëherë mendoj se ka pasur edhe ramazane kur myslimanët i kanë manifestuar në gjendje të jashtëzakonshme. Mirëpo, për ne që jemi në Zvicër, është hera e para që ndodh një gjë e tillë. Ndërsa sa u përket ritualeve fetare në Ramazan, besimtarët do të duhet që t’i kryejnë individualisht dhe në gjirin më të ngushtë familjar. Siç e përmenda më lartë, imamët do të jenë aktivë në sistemin online, por namazet do të duhet të kryhen në mënyrë të pavaur, nëpër shtëpitë tona. Namazi i teravisë zakonisht është falur me njëzet reqatë, por kush nuk di apo kush nuk ka mundësi t’i falë aq reqatë, atëherë mund të fal edhe më pak se njëzet. Në këto kushte, minimumi i preferuar do të ishte tetë reqatë.
Albinfo.ch: Në anën tjetër, autoritetet kanë paralajmëruar hapjen graduale nga 27 prilli por sipas të gjitha gjasave do të kërkojnë nga qytetarët që gjatë kësaj kohe mos të ketë tubime me më shumë persona e as vizita nëpër familje. Sa mendoni që do të zbatohet kjo edhe te familjet shqiptare në Zvicër dhe sa janë të informuar?
Mehas Alija: Besimtarët do të duhet t’i respektojnë vendimet dhe udhëzimet përkatëse dhe të gjejnë forma apo mënyra të tjera që janë të lejueshme. Mjetet komunikuese do të ishin opsioni më i mirë, duke ia uruar njëri-tjetrit live muajin e bekuar të Ramazanit dhe festën e bajramit ose duke u dërguar mesazhe përurimi. Kurse, se sa janë të informuar, unë kam bindje se xhematet tona, pasur parasysh disiplinën që kanë treguar deri më tani, do të veprojnë në pajtim me çdo vendim dhe rregull që do që të jetë në fuqi në ato ditë. E, këtë, me siguri, Zoti i Madh do ta regjistrojë si një nga veprat më të mira të kohës, për shkak se në pyetje është jeta dhe shëndeti i njerëzve.
albinfo.ch: Kur mendoni se do të kthehen ritualet fetare nëpër xhami dhe populli do të mund të lutet në shtëpitë e Zotit?
Mehas Alija: Ende nuk e dimë, por ne jemi të përgatitur që nga momenti i parë, sapo të lirohen kushtet dhe të pezullohen masat preventive ndaj kësaj pandemie, të fillojmë menjëherë ta aktivizojmë jetën aktive të komunitetit tonë. Jemi duke mbajtur një disiplinë të mrekullueshme dhe presim me padurim që të rifillojmë me shërbimet tona fetare nëpër xhami.
Albinfo.ch: Cili do të jetë mesazhi juaj me rastin e Muajit të Ramazanit?
Mehas Alija: Ramazani është shans jete dhe duhet ta shfrytëzojmë atë. Vendimet dhe udhëzimet në fuqi na kanë pamundësuar tubimin e njerëzve nëpër qendrat tona fetare. Kështu që, vendtakimi ynë familjar mbetet shtëpia. Ndoshta do të jetë një rast i mirë që në këtë ramazan t’i kthehemi dhe ta shijojmë më tepër atmosferën dhe sofrën familjare. Në fakt, Ramazani e posedon edhe vlerën e bashkimit të pjesëtarëve të shtëpisë rreth sofrës së syfirit dhe të iftarit. Po ashtu, me që ky muaj karakterizohet me tri periudha shumë të rëndësishme: me dhjetëditëshin e parë, si mëshirë, me dhjetëditëshin e dytë, si falje, dhe me dhjetëditëshin e tretë, si çlirim nga zjarri i Xhehennemit, shpresoj që në fund të gjithë të dalim më të butë nga mëshira, më me shpresë nga falja dhe më të lumtur nga çlirimi prej së keqes. Le të jetë ky Ramazan një periudhë kur ne do të ndriçojmë vendbanimet tona me agjërim, namaz, lexim kur’ani apo libra të tjerë, dhikre (përmendje të Zotit), ndihmë nevojtarëve, reflektim e kthim kah vlerat themelore njerëzore dhe kah Zoti. Unë nga ky Ramazan pres shumë. Duke e pasur parasysh se ky është një muaj i mëshirës, e ndjej se Krijuesi ynë e ka dërguar atë për ne që nga kjo sprovë të na nxjerr edhe më të fortë. Edhe përskaj pandemisë, i gëzohemi ardhjes së Ramazanit, sepse me të do të vijë mëshira, mirësia dhe shpresa për të gjithë botët. Pra, mirë se të vijë muaji i bekuar i Ramazanit!
Albinfo.ch: Në këtë kohë krize ndodhin edhe rastet e vdekjeve, si është organizuar komunitetit për shkak mbylljes së kufijve në Zvicër?
Mehas Alija: Nga fillimi dua të falënderoj qeverinë dhe institucionet kantonale zvicerane që kanë mundësuar, që, në më shumë komuna në Zvicër, te këtë parcela varrimi të ndara për myslimanët e këtushëm. Një pjesë e varrimeve janë realizuar këtu në Zvicër. Ka pasur raste kur kufomat janë dërguar edhe në vendlindje. Kryesisht me këto raste janë marrë familjet dhe kompanitë e transportit, ndërsa roli ynë ka qenë më tepër orientues dhe informues. Deri më tani, sa jam unë i informuar, nuk ka pasur më shumë se dy raste nga xhematet tona që kanë ndërruar jetë me efekt nga koronavirusi. Gjithashtu, deri më tani nuk kemi pasur ankesa nga komuniteti për ndonjë mosfunksionim të kësaj natyre.
Albinfo.ch: Mësohet se kompanitë për transportin e kufomave në vendlindje të kenë rritur çmimet në kohën e pandemisë ?
Mehas Alija: Nuk jam shumë i sigurt për këtë, pasi që ne, drejtpërdrejtë, nuk merremi me organizime të tilla. Ajo që ne bëjmë është ndërmjetësimi dhe lidhja e kontaktit me familjen dhe kompaninë. Çështjet e tjera mbeten midis tyre. Kompanitë janë private dhe, sigurisht, kriza e virusit i ka prekur edhe ato. E di që në fillim të krizës ishte e pamundshme të bëhej transporti i kufomave për në vendlindje. Më vonë, kompanitë në fjalë janë angazhuar derisa kanë gjetur dhe kanë organizuar fluturime private, enkas për transportimin e kufomave. Kjo, ndoshta, ka ndikuar edhe te çështja e çmimit.
E-Diaspora
-
Mbi 58 mijë votues të regjistruar jashtë Kosovës Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka njoftuar se deri më 22 dhjetor...
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
Jeta në Zvicër
-
Rritje e ndjeshme e aksidenteve në ski te të moshuarit Në një vlerësim të publikuar të hënën, Fondi Zviceran i Sigurimit të Aksidenteve (Suva) thekson se...
-
Badhütte, kasollja shekullore në Rorschach, shkatërrohet plotësisht nga zjarri
-
Qeveria paralajmëron për kushte të këqija të rrugëve, rrezik nga ortekët në Alpet zvicerane
-
Parfumi REMIX: Një inovacion zviceran me investitorë shqiptarë
-
Bora krijon kaos në Bernë, pezullohet pjesërisht qarkullimi i autobusëve