Koronavirusi: çast pas çasti
Diasporë: Kësaj here s’kemi nevojë për lëmoshë, kësaj here kemi nevojë për borxh!
Apeli i qeverisë për ndihmën e diasporës mendoj se duhet të riformulohet dhe të ridizajnohet, pasiqë gjithashtu mendoj se paraqet fillimisht pasiguri dhe panik te vendasit. Ajo e shfaq qeverinë si të pafuqishme dhe pa ndonjë plan financiar
Kur të hyrat janë më të mëdha se shpenzimet, atëherë kemi suficit buxhetor. Ndërsa, kur të hyrat janë më të vogla se shpenzimet, atëherë krijohet deficit buxhetor.
Duke pasur parasysh gjendjen aktuale ekonomike të shkaktuar nga kriza Covid 19, si dhe problemet e trashëguara buxhetore, deficiti buxhetor për Republiken e Kosovës është pothuajse i pashmangshëm këtë vit.
Për ta mbuluar deficitin buxhetor, shtetet duhet të hyjnë në borxh. Në një skenar të zakonshëm të deficitit buxhetor, shteti ynë, Kosova, do të duhej të kërkonte hua në tregjet financiare ndërkombëtare, siç janë Fondi Ndërkombetar Monetar (IMF), Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), Banka Botërore etj.
Borxhi i përgjithshëm qeveritar është ende në nivel shumë të ulët, krahasuar me shtetet e tjera në rajon (rreth 20%), dhe në këto kushte të jashtëzakonshme, me një plan të hartuar me kujdes, një rritje e parallogaritur dhe e matur do të ishte hap i arsyeshëm e strategjik.
Megjithatë, në kohën në të cilën gjendemi, institucionet e lartpërmendura më shumë janë duke dhënë instruksione se si ta ruajmë dhe ta trajtojmë paranë tonë, sesa janë duke lëshuar borxhe të reja.
Qeveria mund të huazojë edhe brenda vendit, duke emetuar letra me vlerë, e të cilat mund t’i blejnë personat fizikë dhe juridikë, e të cilat njihen si borxh i brendshëm. Edhe ky financim alternativ është pothuajse i pamundshëm këtë kohë. Kompanitë dhe individët, si pasojë e mbylljeve totale të shumicës së aktiviteteve biznesore, janë gati në kolaps financiar.
Shtetet e tjera fqinje dhe Shqipëria, jo Kosova, e kanë edhe një opsion tjetër, atë të shtypjes së parasë. Mirëpo, ajo ka edhe anën e saj negative, pasi që mund të shkaktojë inflacion.
Ekonomia e Kosovës ka pak gjasa për t’u rimëkëmbur deri në fund të këtij viti. Andaj, shtetit i duhet të gjejë forma të tjera për të ndihmuar ekonominë e vendit.
Apeli i qeverisë për ndihmën e diasporës mendoj se duhet të riformulohet dhe të ridizajnohet, pasiqë gjithashtu mendoj se paraqet fillimisht pasiguri dhe panik te vendasit. Ajo e shfaq qeverinë si të pafuqishme dhe pa ndonjë plan financiar.
Kah të ecet tash?
Inkuadrimi i diasporës në rimëkëmbjen ekonomike të vendit duhet të jetë i pashmangshëm, edhe detyrimisht i obligueshëm. Megjithatë, të kërkohen para jo si lëmoshë, por si investim.
Remitencat kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe vital në ekonominë kosovare. Efekti i remitencës në shumë vende të botës, sipas disa studimeve (Abdih et al., (2008), Chami et al., (2008) dhe Adams et al., (2008)) nuk ka qenë i mjaftueshëm për të ndihmuar zhvillimin dhe rritjen ekonomike të atij vendi.
Prandaj, marrë parasysh të gjitha vështirësitë për të mbuluar deficitin buxhetor, si dhe për t’i financuar projektet e tjera të ardhshme që mund të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të këtij vendi, qeveria mund të promovojë instrumente alternative të huamarrjes, siç janë: Bonot e diasporës, ose Diaspora Bond.
Bonot Diaspora, diaspora bonds, ose obligacionet diaspora, janë letra me vlerë të emetuara nga qeveria ose agjencitë qeveritare dhe në formë eksplicite kane synim tregun e diasporës. Mërgimtarëve tanë u jepet mundësia të investojnë një pjesë të pasurisë së tyre në atdheun e tyre në formën e letrave me vlerë. Meqenëse vendi ynë, në këtë situatë nuk do të jetë në gjendje të paguajë kamata të favorshme për investitorët, kjo mund të definohet si një investim patriotik. Të investojmë me kamatë zero, mirëpo në të njëjtën kohë të na garantohen nga qeveria jonë. Ideja bazohet në supozimin se për shkak të lidhjeve emocionale me vendin e tyre të origjinës mërgimtarët do t’i shohin këto lloj investimesh si shumë të vlefshme, sidomos nëse ata do të investonin në projekte zhvillimore infrastrukturore. Bonot diaspora i japin qeverisë qasje në investime që janë përtej investimeve të huaja direkte (FDI), investitorëve të huaj dhe huave të tjera nga institucione e organizata të ndryshme, për të financuar zhvillimin e vendit, ose në rastin tone, mbulesën e deficitit buxhetor.
Kjo formë e financimit është shumë e rëndësishme gjatë krizave ekonomike, sikur tash, kur huadhënësit e tjerë potencialë mund të hezitojnë t’u përgjigjen kërkesave tona.
Izraeli është një nga shtetet që ka aplikuar këto forma të financimit që nga viti 1951. Fondi u krijua për të financuar projekte te ndryshme zhvillimore në industri të ndryshme, përfshirë energjinë dhe transportin.
Për të stimuluar më tej këtë formë financimi, Bonot diaspora do të përjashtoheshin nga taksat (në rast se shteti vendos të paguajë kamatë për këto obligacione), ose do të mundë të përdoreshin nga investitori (diaspora) si kolateral për bankat. Këto bono kanë edhe afat maturimi.
Sigurisht që e gjithë kjo kërkon kohë! Mirëpo, duhet të kemi parasysh se si rezultat i ekspozimit të kësaj krize ekonomike në gjithë botën, remitenca këtë vit mund të bjerë, asistencat financiare nga shtetet e organizatat sponzore sigurisht se do të zvogëlohen dhe nuk mund të presim mrekulli në rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë së vendit tonë të vogël, Kosovës.
“Little less conversation, little more action!”
- Autori është ligjërues i menaxhmentit dhe ndërmarrësisë në një fakultet në Zvicër. Ky është opinion i autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyron qëndrimin e redaksisë
Të ngjashme
Të tjera nga Koronavirusi: çast pas çasti
E-Diaspora
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur "Si fëmijë të migrantëve nga Kosova, ne u përballëm herët me pyetjen se çfarë do të...
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
Jeta në Zvicër
-
Gjykata Federale: Personat mbipeshë tani mund të marrin pension IV Fakti që obeziteti në thelb është i trajtueshëm nuk e përjashton automatikisht një pension...
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur
-
Zviceranët do të votojnë për natyralizim më të lehtë
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras”