Koronavirusi: çast pas çasti

Hapen shkollat, por prindërit hezitojnë t’i dërgojnë fëmijët

Kjo ka shkaktuar shumë reagime, ku disa prindër kanë thënë se nuk do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë

Danimarka është shteti i parë evropian që ka hapur shkollat dhe çerdhet, por ka shkaktuar shumë reagime.

Frika për rikthimin e një vale të dytë të infektuarish ka detyruar mijëra prindër që t’i mbajnë fëmijët e tyre në shtëpi.

“Unë nuk do t’i dërgoj fëmijët e mi në shkollë çfarëdo që të ndodhë”, shprehet Sandra Andersen, krijuesja e një grupi në “Facebook” të quajtur “Fëmija im nuk do të jetë një kavie laboratori” që ka më shumë se 40 mijë ndjekës, përcjell albinfo.ch.

“Mendoj se shumë prindër janë duke pyetur veten se pse fëmija e tyre duhet të dalë jashtë i pari”, tha nëna e dy vajzave 5 dhe 9 vjeçare.

Masat shtrënguese nga koronavirusi në Danimarkë zgjatën për rreth një muaj dhe si pasojë e tij u infektuan 6600 persona, 330 prej të cilëve humbën jetën.