Lajme

Shqiptarët në Suedi, më të shqetësuarit nga përhapja e koronavirusit

Ekspertët e shëndetit publik në Suedi këshillojnë daljen në ambiente të hapura, shëtitjet nëpër parqe, pra marrjen e ajrit të pastër dhe bërjen e një jete të shëndetshme dhe jo mbylljen vetëm në shtëpi.

Duke qenë se Suedia është shteti i vetëm në botë që nuk ka marrë masa ekstreme për izolimin e shtetasve të saj për parandalimin e përhapjes së Covid-19, realisht ky shtet ka zgjedhur një strategji tjetër ndryshe nga vendet e Europës, apo dhe vetë Shqipëria që i ka detyruar njerëzit të izolohen për dy apo më shumë javë. Por kjo strategji duket se ka të bëjë edhe me kulturën e njerëzve atje që zbatojnë ato këshilla që japin autoritetet suedeze, përcjell albinfo.ch.

Duhet theksuar se kjo strategji që po e përdor Suedia duket se ka të bëjë edhe me kulturën e njerëzve atje që zbatojnë ato këshilla që japin autoritetet suedeze. Florenc Drizari, me profesionin gazetar, u largua tre vjet më parë nga Shqipëria për të jetuar familjarisht në Suedi.

Florenci aktualisht jeton në Stokcholm dhe në intervistën për gazetën “Shqip” rrëfen për situatën atje, për strategjinë që po ndjekin autoritetet. “Ekspertët e shëndetit publik në Suedi këshillojnë daljen në ambiente të hapura, shëtitjet nëpër parqe, pra marrjen e ajrit të pastër dhe bërjen e një jete të shëndetshme dhe jo mbylljen vetëm në shtëpi. Suedezët në përgjithësi nuk përdorin maska mbrojtëse në ambiente të hapura siç shohim në shumë vende të tjera, edhe pse ka gjendje në farmaci apo mund të blihen online. Situata duket se nuk ka vend për panik, por çdokush duhet të respektojë rregullat e vendosura dhe të tregohet i përgjegjshëm”, rrëfen ai.

“Suedia ka zgjedhur strategjinë e saj në përballjen me pandeminë e koronavirusit që është e ndryshme nga shume vende të tjera në Europë dhe në botë. Ashtu siç e theksoni edhe ju, në Suedi nuk ka pasur masa të forta shtrënguese për lëvizjen e njerëzve, nuk janë mbyllur kufijtë, nuk janë mbyllur kopshtet dhe shkollat, edhe pse gjimnazet dhe universitetet vazhdojnë mësimin në distancë etj. Por sigurisht që janë marrë shumë masa edhe këtu. Fillimisht, u ndalua grumbullimi i jo më shumë se 500 personave në publik, më pas ky numër shkoi në 50. Vendime janë marrë për informimin e popullatës, për mbështetjen e bizneseve, punonjësve dhe për mbrojtjen e grupmoshave që kanë një risk të lartë të preken nga koronavirusi. Pra, nuk mund të themi që suedezët nuk i tremben virusit, ata mundohen të tregohen të kujdesshëm duke ndjekur këshillat e ekspertëve dhe bëjnë jetën e tyre normale. Dhe për sa i përket strategjisë së ndjekur, këtu disa nga ekspertët ndahen. Disa prej tyre ngrenë pyetjen, a kanë këto vende të dhëna të qarta që konfirmojnë se strategjia e tyre është më efektive si në shpëtimin e jetëve njerëzore ashtu edhe në mbrojtjen e ekonomisë nga një krizë e rëndë?” tha ai. /Albinfo.ch