Shqipëria

Shkon në 433 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë u kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social.

Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë, në raportimin e saj të përditshëm, bën me dije se në 24 orët e fundit janë regjistruar 17 raste të reja me COVID-19, duke e çuar në 433 numrin e përgjithshëm të personave të infektuar me koronavirusin e ri në Shqipëri.

Më poshtë deklarata e plotë e Mira Rakacolli,  zv.ministre e Shëndetësisë:

“Në vijim të komunikimit të përditshëm, Ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive.

Në 24 orët e fundit janë testuar 259 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 17 raste të reja me COVID-19.

Deri në këto momente janë testuar 3644 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 433 raste.

Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 23 qytetarë, me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor.

Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 197.

Ju informojmë se në shërbimin infektiv aktualisht janë 53 të shtruar. 6 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 pacientë janë të intubuar.

Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive, prej tyre 4 pacientë janë të intubuar.

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 60 pacientë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 10 raste, Shkodër 3 raste, Pukë 1 rast, Lushnje 1 rast, Krujë 1 rast dhe Durrës 1 rast”.

 

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

 

– Tiranë           209 raste

– Durrës           39 raste

– Lushnje         6 raste

– Elbasan         15 raste

– Fier                32 raste

– Kavajë           8 raste

– Rrogozhinë    4 raste

– Korçë             17 raste

– Vlorë              5 raste

– Shkodër         52 raste

– Lezhë            14 raste

– Berat              2 rast

– Has                12 raste

– Krujë             6 raste

-Tropojë          4 raste

– Pukë              5 raste

– Mirditë           3 raste

 

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat te të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19.

Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40./tch/