Lajme

Britani: Katër shqiptarë kanë humbur jetën nga COVID-19

Forumi i shoqatave shqiptare në Londër, në bashkëpunim me UKAMS-in (United Kingdom Albanian Medical Society) ofrojnë ndihmë ndaj të gjithë atyre personave që kanë nevojë.

Është bërë e ditur nga ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab, që është në krye të qeverisë, pasi kryeministri Johnson është në spital, u shpreh se është ende herët për të hequr gjendjen e karantinës.

Në konferencën ditore të shtypit ai u bëri thirrje britanikëve të vazhdojnë të respektojnë rregullat, për të mos rrezikuar sakrificat e bëra deri tani.

Në mesazhin e tij ai u shpreh se këtë jave Pashkësh, qëndrimi në shtëpi do të jetë edhe më i vështirë, pasi shumë festime nuk do të jenë të mundura. Gjyshër që nuk do të festojnë dot me nipër e mbesa, prindër që nuk do të festojnë dot me fëmijët e tyre.

Nga ana tjetër, mjekja shqiptare, Zamira Ruspi, mjeke në shërbimin parësor në Londrën veri-perëndimore, shprehet se përsa i përket numrit të shqiptarëve të infektuar me COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar, janë gjithsej rreth 65 njerëz.

Këta kanë simptoma të lehta dhe janë duke qëndruar në shtëpi me familjet e tyre. Infektimi ka ardhur kryesisht nga një anëtar i familjes që ka infektuar më pas pjesëtaret e tjerë të familjes. Në një familje – tha zonja Ruspi-  janë 5 anëtarë të infektuar.

Numri i të vdekurve është katër.

Përsa i përket trajtimit të banorëve shqiptarë në Londër, ata këshillohen të ndjekin procedurën e njëjtë për të gjithë, të telefonojnë shërbimin mjekësor në 111, dhe pastaj të ndjekin këshillat e mjekut të familjes. Shtrohen në spital vetëm ata pacientë, gjendja e të cilëve përkeqësohet dhe kanë nevojë për ndihmë me oksigjen, ose në rastet me të rënduara, për ventilator frymëmarrjeje.

Forumi i shoqatave shqiptare në Londër, në bashkëpunim me UKAMS-in (United Kingdom Albanian Medical Society) ofrojnë ndihmë ndaj të gjithë atyre personave që kanë nevojë.

Vlen për t’u përmendur ndihma që u është dhënë disa nënave të reja, që sapo kanë lindur dhe janë ende në proces aplikimi përsa i përket qëndrimit të tyre në Mbretërinë e Bashkuar. Nënave, në zonën e Croydon në jug të Londrës, u është ofruar ndihme me ushqime dhe mbështetje në këtë situatë të jashtëzakonshme që ndodhemi.

Po kështu Shoqata e mjekëve në Londër ofron ndihmë me psikologë dhe terapistë online, ndaj personave të prekur nga virusi dhe që kanë nevojë për këshillim, por edhe ndaj personave me probleme të shëndetit mendor që janë ndikuar nga kjo situatë, edhe pse mund te mos jenë të prekur nga virusi.

Tashmë Mbretëria e Bashkuar është në javën e tretë të karantinës, dhe qendra më e infektuar deri tani është Londra.

Numri i të infektuarve në Mbretërinë e Bashkuar është 60, 733.

Vdekje  7172

Anglia  6438

Skocia 366

Uellsi  235

Irlanda e Veriut 78.