Kosova

18 rastet në Ferizaj u infektuan me Covid-19 nga një person i vetëm

Është bërë e ditur se mbrëmë janë konfirmuar 18 raste me koronavirus në Ferizaj.

Në një prononcim, kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, ka thënë se të gjitha këto raste u infektuan nga një person i vetëm, tashmë i ndjerë, i cili nuk kishte simptoma të koronavirusit.

“Ai nuk ka qenë me simptoma që kanë manifestuar me infeksion të Covid-19, por ka paraqitur  simptoma krejtësisht tjera, ato kardiake, dhe pas dërgimit në Prishtinë dhe pas vdekjes së tij, është konstatuar se ishte me koronavirus”.

“Të gjitha 18 rastet nga Ferizaj janë infektuar nga ky person. Rasti i sotëm flet për përmasat e shpërndarjes nga një person në tjetrin”.

“Tash e tutje të marrim edhe masa të tjera për të shtuar disiplinën e qytetarëve. Ne kemi përgjegjësinë si Komunë që të bëjmë çdo gjë që ta ruajmë shëndetin e qytetarëve tanë”.

“Në koordinim me IKSHPK-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë, do të marrim edhe masa tjera që janë të nevojshme, në mënyrë që Ferizaj të kalojë më mirë pas paraqitjes së numrit të madh të të infektuarve”.

“Personi i ndjerë ka qenë deri më 6 prill pa shenja simptomatike të Covid-19. Ai vazhdueshëm ka komunikuar me të tjerët se ka qenë vozitës ne Bondsteel, ku ka punuar deri të shtunën e kaluar dhe pastaj e ka pasur pushimin dhe këtë kohë e ka kaluar me familjarët e tij. Ka pasur komunikime të vazhdueshme se nuk ka pasur asnjë simptomë”.

“Personat që sonte kanë dalë pozitiv, janë kolegë të punës dhe familjarët e tij”.

“Pas vdekjes dhe zbulimit se ishe me këtë virus, të gjithë këta persona të prekur kanë qenë në masë të vetizolimit, dhe instituti i ka marrë mostrat nga ta”.

“Ata nuk kanë dalë, kanë qëndruar të vetizoluar. Tash mbetet vetëm ajo pjesë se çka kanë mundur të bëjnë ata para vetizolimit”.

“Le të shërbejë ky rast për të kuptuar se si nga një rast i vetëm mund të dalin shumë persona të infektuar”, deklaroi Aliu.