Koronavirusi: çast pas çasti

Shtyrja e pagesës së qirasë nuk e zgjidh problemin e mbylljeve për shkak të virusit Corona

Ne, në zyrën tonë, e kemi kërkuar për një klient reduktimin e qirasë. Qiradhënësi është përgjigjur menjëherë dhe ka treguar mirëkuptim për brengat e qiramarrësit, pra klientit tonë, dhe ka ofruar një shtyrje të pagesës (Mietzinsstundung). A ndihmon kjo? Po dhe jo!

Siç jeni informuar, Qeveria e Zvicrë,s duke u mbështetur në Ligjin për Epidemitë, ka marrë disa masa për mbylljen e disa bizneseve. Në një artikull të publikuar në albinfo.ch (https://www.albinfo.ch/reduktimi-i-qirase-ne-rast-te-mbylljes-se-lokalit-zyrave-per-shkak-te-virusit-corona) para disa ditëve për të njëjtën temë, kemi informuar që sipas mendimit të zyrës tonë mund të kërkoni nga qiradhënësi reduktim të qirasë për objektet që shfrytëzohen për bizneset që janë prekur nga mbyllja.

Ne, në zyrën tonë, e kemi kërkuar për një klient reduktimin e qirasë. Qiradhënësi është përgjigjur menjëherë dhe ka treguar mirëkuptim për brengat e qiramarrësit, pra klientit tonë, dhe ka ofruar një shtyrje të pagesës (Mietzinsstundung). A ndihmon kjo? Po dhe jo!

Është pozitive që qiradhënësi është deklaruar i gatshëm t’ia mundësojë qiramarrësit shtyrjen e pagesës së qirasë për kohën sa do të zgjatë mbyllja. Çka do të thotë kjo? Gjatë kohës që qëndron i mbyllur lokali për shkak të masave të ndërmarra nga qeveria, qiradhënësi i prekur nga këto masa nuk duhet të paguajë qiranë; kjo është pozitive.

Por, pasi që qeveria të zbutë apo të heqë masat, atëherë pagesa e qirasë vazhdon, pra, edhe ato pagesat e shtyra nga qiradhënësi për kohën e mbylljes, duhen pastaj të paguhen. Pra, pagesat për kohën e mbylljes vetëm janë shtyrë për më vonë.

Duhet të keni kujdes, sepse nëse thjesht e nënshkruani një marrëveshje me qiradhënësin për shtyrje të pagesës së qirasë, atëherë rrezikoni që ta humbni të drejtën për të kërkuar reduktimin e qirasë. Në raste të tilla më së miri është që të kërkoni ndihmë nga ndonjë person që ka njohuri për të drejtën e qirasë, e cila është e rregulluar, ndër të tjera, në kodin obligativ.

Ne, në emër të klientit, e kemi falënderuar qiradhënësin për mundësinë e shtyrjes së pagesës së qirasë dhe tani do ta deponojmë qiranë mujore te Zyra e Ndërmjetësimit në çështjet e qirasë (Schlichtungsstelle in Mietsachen) (edhe për mundësinë e këtij hapi ka mendime të ndryshme). Njëkohësisht i kemi shkruar qiradhënësit që ne insistojmë në reduktimin e qirasë në CHF 0.- pasi që në këtë rast qiramarrësi nuk ka mundësi ta shfrytëzojë fare lokalin. Mbyllja e lokalit nuk është rrezik i operimit biznesor të qiramarrësit. Përkundrazi, për mendimin tonë (dhe nuk jemi të vetmit që mendojmë kështu), qiradhënësi mund të kërkojë qiranë vetëm nëse objekti i qirasë mund të shfrytëzohet ashtu siç është e rregulluar me kontratë. Dhe, për shkak të masave të marra nga qeveria, qiramarrësi nuk mund ta shfrytëzojë objektin ashtu siç rregullohet në kontratë. (Gjithnjë duke e pasur parasysh rrezikun që për këtë situatë nuk ka akoma ndonjë vendim të gjykatës. Qeveria e ka themeluar një Task Force që është duke u marrë me këtë çështje. Por deri sot nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje edhe pas disa takimeve që ka pasur. Pritet të shihet se a do të mund të gjejnë zgjidhje.)

Nëse thjesht e paguani qiranë pa asnjë rezervë të qartë me shkrim ndaj qiradhënësit (p.sh. ta rezervoni të drejtën për ta kërkuar mbrapa pagesën për shkak të reduktimit), atëherë rrezikoni që ta humbni mundësinë për kërkesë të reduktimit së qirasë.

Nëse deri tash negociatat me qiradhënësin nuk kanë sjellë ndonjë rezultat të kënaqshëm, atëherë mund të filloni menjëherë me hapin tjetër, siç është: t`i shkruani qiradhënësit një kërkesë me shkrim („Einschreiben“) ku i tregoni që për shkak të vendimit të qeverisë, ju nuk mund ta shfrytëzoni lokalin, ashtu siç është e rregulluar në kontratë, pra objekti ka mangësi, dhe kërkoni reduktimin e qirasë (varësisht nga rasti, deri në CHF 0.-) (Neni 259d ose 288 Kodi Obligativ). Njëkohësisht ia vini një afat kohor të arsyeshëm, deri kur duhet të përgjigjet qiradhënësi. Ne ia kemi vënë në rastin tonë para më shumë se dy javëve një afat prej 10 ditëve.

Varësisht se si reagon qiradhënësi, duhet pastaj të merren hapat e tjerë dhe të fillohet me procedurat ligjore.

Nëse qiradhënësi e prishë kontratën, atëherë këtë duhet ta kundërshtoni brenda 30 ditëve, nëse nuk jeni dakord me prishjen e saj.

 

Lic.iur.  Orhan Spahiu

Kueng Lawyers Bassersdorf GmbH

Poststrasse 1

8303 Bassersdorf

[email protected]

044 888 63 58