Lajme

FMN: Bota rrezikon të përballet me krizën më të madhe ekonomike prej Depresionit të Madh

Fondi Monetar Ndërkombëtar është duke e parë me shqetësim të thellë efektin ekonomik të pandemisë së koronavirusit, madje shefja e FMN-së ka paralajmëruar ndoshta krizën më të madhe ekonomike pas Depresionit të Madh, që kishte kapluar botën gjatë shekullit të kaluar, përkatësisht në vitet 1929-1933.

Shefja e FMN-së, Kristalina Georgieva, ka thënë se “rritja globale do të zvogëlohet negativisht më 2020”, pasi 170 nga 180 vendet anëtare të kësaj Organizate kanë raportuar për rënie të të ardhurave për kokë banori.
“Në fakt, ne mund të përballemi me krizën më të rëndë ekonomike prej Depresionit të Madh”, ka thënë Georgieva në një konferencë për media në Uashington, para takimit të javës së ardhshme të FMN-së dhe Bankës Botërore.

Sipas FMN-së, një “rimëkëmbje e pjesshme” mund të ndodhë vitin e ardhshëm, nëse parashikimet për zbehje të virusit më vonë gjatë vitit janë të sakta.
Georgieva u ka bërë thirrje qeverive që të bëjnë më shumë për të ofruar “jetëgjatësi” për bizneset, përcjell Albinfo.ch.