Lajme

3 ditë pa asnjë vdekje nga koronavirusi në Shqipëri

Shqipëria mbushi sot 72 orë pa asnjë vdekje prej koronavirusit, ndërsa rastet e të prekurve janë të pakta.

Vdekja e fundit i përket datës 6 prill, një 90-vjeçar i konfirmuar me COVID-19 dhe me një seri sëmundjesh të tjera.

Numri i vdekjeve është ndalur në 22 vetë prej disa ditësh, ndërsa vazhdojnë testime të përditshme, prej nga zbulohen raste të reja.

9 raste të reja u zbuluan gjatë 24 orëve të fundit nga testimi i 234 personave të dyshuar.

Numri i përgjithshëm është 409 të prekur, që janë zbuluar nga mbi 3 mijë e 220 testime për të dyshuar.

Statistikat zyrtare flasin për një numër në rënie të shtrimeve në spitale dhe rritje të shifrave për të shëruarit.

Autoritetet besojnë se shifrat e përhapjes së kësaj sëmundjeje për Shqipërinë arritën pikun në ditët e fundit të marsit.

Në dy spitalet COVID janë gjithsej 58 të shtruar, ndërsa 11 pacientë të tjerë iu shtuan listës së 165 të shëruarve. Pjesa më e madhe e të shtruarve, 52 vetë, janë në Spitalin Infektiv, ndërsa në Spitalin e dytë Covid janë vetëm 6 pacientë.

Qytetet më të prekura janë Tirana me 196 raste, Shkodra me 45 raste dhe Durrësi me 38 të prekur.

Autoritetet po vazhdojnë të mbajnë masa të shtrënguara në qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve me orare të reduktuara, me fundjava 40-orëshe krejt të mbyllura për tregjet dhe qytetarët, si dhe me qarkullimin e bllokuar ndërqytetës.

Në rrugë qarkullojnë vetëm automjetet e shërbimeve publike, policia dhe ushtria, ndërsa janë krejt të mbyllura parqet natyrore dhe lulishtet, restorantet, lokalet dhe mjedise të tjera ku më parë kishte tubime masive të qytetarëve.