Kosova
Albin: Pa emocione, por me aleatë!
Politika është art i kompromisit për të arritur qëllimin, është strategji maratonike, me taktizime, temporizime indirekte, fleksibilitet, konsultime edhe me palë qe e kanë ndihmuar atë të vijë në pushtet, me zgjerim baze, thellim miqësish.
Shumë bashkëkombës janë zgjuar sot në mëngjes me ndjenjën sikurse ta kishin kaluar natën në një ankth të madh. Në fakt, 10 orët e „debatit“ parlamentar kosovar kanë çuar peshë çdo emocion njerëzor, kanë shkërmoqur çdo cep të shpresës, kanë thelluar ndjenjën e pafuqisë karshi humbjes së rastit për të vënë Kosovën në binarët e evropianizimit. Mbrëmë Kosova dhe kombi shqiptar pësuan kataklizmin që domosdo do të ketë pasoja, ngase janë cenuar proceset historike duke i shtyrë ato, dhe që e kushtëzojnë dhe fusin pasiguri të shtuar në të ardhmen e Kosovës dhe të mbarë kombit. Mbrëmë u krijua ndjenja se fataliteti është pjesë e fatit shqiptar, në një kontekst pandemie që rrezikon njerëzimin dhe sidomos një shtet të varfër çfarë është Kosova.
Por nga ana tjetër, ballë emocioneve, është realiteti dhe arsyeja. Në fakt, politika është një monstrum i ftohtë dhe emocionet janë në shërbim të qëllimeve, e jo qëllim në vete. Duke dëgjuar e analizuar fjalimet e deputetëve të VV, kisha përshtypjen se ishim tashmë në kampanjë parazgjedhore! Fjalimet e shumë tenorëve të VV, pra edhe ai i Albin Kurtit, ishin me një dozë moralizimi dhe në shërbim të emocioneve, jo gjithmonë me fakte (sidomos për të përfolurën marrëveshje sekrete të ndarjes së Kosovës). Ato kishin efekt prodhimin e emocioneve, kurse pala kundërshtare e fitoi betejën, pa emocione. Një diplomat i huaj me peshë më tha në telefon se orkestruesi i këtij skenari ogurzi, Hashim Thaçi, e ka bërë këtë grushtet, përmes mekanizmit demokratik, në mënyrë të përkryer. As ai, as unë nuk besonim se ai e kishte përpiluar vetë atë koreografi, sepse kishte ndihmën e tjetërkujt. Se kush është mbrapa, tani më është sekret publik.
Edhe pse mbrëmë Albin Kurti kishte të drejtë se nuk ishte fjalori i përçarjes arsyeja e thyerjes së koalicionit, por qëndrimet politike të vendimmarrësve të LDK-së, prapë se prapë, po të kishte treguar më shumë kujdes në përforcimin e bazës së koalicionit dhe konsultimeve në vendimmarrjes me partnerin, duke i kontrolluar komunikimet e disa elementeve të VV që postonin fjalë acaruese ndaj figurave të kësaj partie, duke bashkëpunuar më ngushtë me deputetët e zgjedhur të LDK-së në suaza të punimeve të institucionit parlamentar, duke evituar (apo shtyrë më vonë) frontet sikurse ai i Podujevës, dhe sidomos duke pasur shumë kujdes me fjalorin që përdorte ai, në funksionin e Kryeministrit, si dhe të tjerët, ndaj SHBA-së. Është dashur sidomos të menaxhohen me shumë kujdes dhe ekuidistancë raportet me akterë politike amerikanë me peshë dhe ato evropianë, duke pasur parasysh faktin se qasja e SHBA-së ndaj Kosovës aktualisht dallon substancialisht nga ajo e Unionit Evropian.
Ndoshta seanca e djeshme është mbajtur për arsye që e tejkalojnë vetë Kosovën dhe akterët e saj politikë, por megjithatë do të kishte marrë rrjedhoja tjera. Pa marrë parasysh faktin e hidhur se kryesia e LDK-së (pa mandat zgjedhor nga populli) është marionetë dhe se vendimet e tyre janë tërësisht në shërbim të tjetërkujt, po të kishte vepruar VV me të me më shumë butësi, dje ka qenë rasti i mirë për ta ndihmuar Vjosa Osmanin dhe Anton Qunin për t‘ua rritur relevancën e tyre si faktor transformues të LDK-së, respektivisht të Kosovës.
Kjo pra është të bërit politikë. Të kesh qëllime, dhe t`i vesh në funksion mjetet, akterët, dhe emocionet në shërbim të tyre, duke kultivuar kulturën e kërkimit të emëruesit të përbashkët, me akterë që nuk janë ndoshta tërësisht në të njëjtat valë, por që e ndajnë të njëjtin qëllim, për ta ndërruar të ardhmen dhe modernizuar Kosovën. Nuk munden 100 vjet vonesë të kapen me 100 metra vrap. Kthimi i Kosovës në binarët e duhur është maratonë e vërtetë, dhe në tërë atë rrugë duhet hapur mundësi pluralizmi të qasjeve, pra edhe në vetë VV. E kuptoj plotësisht dhe e ndaj esencën e mendimeve të Albin Kurtit dhe shumicës së ekipit të tij që e ka për lakmi, por politika nuk është shkencë, sepse kjo e fundit duhet të jetë në shërbim të vendimmarrjes. Politika është art i kompromisit për të arritur qëllimin, është strategji maratonike, me taktizime, temporizime indirekte, fleksibilitet, konsultime edhe me palë qe e kanë ndihmuar atë të vijë në pushtet, me zgjerim baze, thellim miqësish. Fitorja e VV dhe LDK-së ishte pjesa e parë e luftës politike kosovare. Dje ndodhi akti i dytë, ku shah dhe mat fitoi garda e pan-it. Pra kanë fituar një betejë por jo luftën për demokraci. Në betejat politike të radhës, Albin Kurti me shokë duhet të ndërrojnë qasjen, pa revanshizëm por si figura uniteti, se përndryshe vërtet të gjithë do t`i humbim shpresat.
E-Diaspora
-
U protestua kundër pritjes së presidentit serb, Vuqiç, në Cyrih Në një mot të ftohtë dhe me shi, u shpalos pankarta e madhe që paraqiste kundërshtimin...
-
“Parandalo”: Personat me aftësi të kufizuara, të përfshihen në proceset vendimmarrëse
-
Sonte, kryeministri Albin Kurti takon mërgatën në Bruksel
-
Berlin: Besim Gashi u nderua me mirënjohjen e arritjes nga autoritetet e Bundeswehr-it
-
“Kërcimi i Tropojës”, zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO
Jeta në Zvicër
-
Gjenevë: Dyqanet nuk do të hapen më 22 dhjetor Dyqanet e Gjenevës nuk do të jenë të hapura të dielën, më 22 dhjetor. Departamenti i...
-
U protestua kundër pritjes së presidentit serb, Vuqiç, në Cyrih
-
Neuchâtel: Projekti për të ndihmuar të moshuarit viktima të mashtrimit
-
“Parandalo”: Personat me aftësi të kufizuara, të përfshihen në proceset vendimmarrëse
-
Sa përfituan punëtorët në Zvicër nga rritja e pagave