Kosova

Në Klinikën Infektive në QKUK janë të hospitalizuar 28 pacientë të prekur nga koronavirusi

Shtatë prej tyre janë me oksigjen

Infektologu i QKUK’së, Valbon Krasniqi, ka deklaruar se gjendja shëndetësore e pacientëve që janë të shtrirë në Infektiven e QKUK’së e që e bartin virusin covid-19, është stabile.

Krasniqi ka treguar se në Infektivën e QKUK’së, janë 28 pacientë që bartin koronavirusin. Shtatë prej tyre janë me terapi me oksigjen. Gjendja e tyre është stabile për momentin.

“Aktualisht në në Infektivë i kemi 28 persona të shtrirë që e bartin koronavirusin. Të tjerët janë duke u trajtuar në shtëpitë e tyre në vetë izolim”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka sqaruar se 2 javët e ardhshme pritet që të jenë vendimtare për vendin sa i përket koronavrussit.

“Ne jemi në fillim të pandemisë. Është e pritshme që gjatë 23- javëve të ardhshme të kemi më shumë pacientë të prekur. Tashmë kjo punë është ekskluzivisht në dorën e qytetarëve. Varet nga ta se sa i respektojnë këshillat e mjekëve”, ka deklaruar Krasniqi.

Në Kosovë janë të prekur nga koronavirusi 63 persona. Gjatë ditës së sotme pritet të dalin rezultate të tjera.