Lajme

Mjekët nga diaspora, të gatshëm të ndihmojnë Shqipërinë

Federata e Mjekëve Shqiptarë në Diasporë nis bisedimet me shtetet evropiane për të siguruar dhe pasuruar spitalet e Shqipërisë me oksigjen.

Elona Meta, kryetare e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë, e cila njëkohësisht është edhe mjeke në Gjermani, pas përhapjes së koronavirusit në Shqipëri ka deklaruar se mjekët që janë në diasporë janë të gatshëm ta ndihmojnë Shqipërinë në rast se situata del nga kontrolli, transmeton albinfo.ch.

Po ashtu duhet theksuar se Federata e Mjekëve Shqiptarë në Diasporë, duke marrë parasysh që në spitalet e Shqipërisë ka mungesë të oskigjenisë, do të nisë bisedimet me shtetet evropiane për të siguruar dhe pasuruar spitalet e Shqipërisë me oksigjen, pasi që virusi prek më së shumti mushkëritë, fryemëmarrjen.

Po ashtu, Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë këshillon popullatën dhe profesionistët e shëndetit të RUAJNË QETËSINË ndaj mundësisë së infektimit me koronavirus. Ndërkohë. vaksina ndaj koronavirusit është në ardhje, shprehet mjekja shqiptare Aurora Meta, transmeton albinfo.ch.

Gjatë një bisede nga Hamburgu me A2, Aurora Meta Dollenberg, nënkryetare e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Diasporë, bëri edhe një parashikim se kur mund të kemi një vaksinë ndaj koronavirusit.

“Kanë filluar në Gjermani punimet nëpër laboratorë për të zhvilluar vaksinën ndaj tij. Nga eksperienca mund të themi se kur ka pasur influenca, pas dy muajsh është arritur të zhvillohet edhe një vaksinë. Mund të them se përafërsisht të paktën pas katër deri në gjashtë javë duhet të ketë ndonjë rezultat për sa i përket vaksinimit”, tha ajo.

Po ashtu, ajo shpjegoi se pavarësisht se në Gjermani janë shënuar 2 viktima nga koronavirusi dhe mbi 1200 persona janë infektuar, mjekët atje nuk janë në gjendje alerti, ndërsa jeta vazhdon normalisht. “Nuk duhet lënë pa përmendur se gati 80% e personave të infektuar janë shëruar”, tha ajo. “Edhe pse numri i rasteve pozitiv është në rritje, nuk paraqet alarm për sistemin shëndetësor. Landet janë të përgatitura për përhapjen e virusit. Gjermania nuk është në gjendje alarmi, si Italia”, tha Meta. /Albinfo.ch