Ekonomi

OAK: Koronavirusi mund të shkaktojë vështirësi në pagesën e pagave dhe tatimeve

Oda e Afarizmit të Kosovës unanimisht ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës marrja e masave urgjente mbrojtëse për efektet që mund të shkaktohen nga virusi COVIT-19, duke marrë parasysh zgjerimin e shpejtë që është duke ndodhur në vendet e rajonit.

OAK përshëndet vendimet e mbrëmshme të Qeverisë për masat mbrojtëse dhe kërkon që të ketë masa të merren edhe për bizneset dhe punëtorët që do të detyrohen të mungojnë në procesin e punës gjatë ditëve në vijim.

“Ashtu siç e kemi potencuar edhe në komunikatën e mëhershme, kjo pandemi mund të shkaktojë vështirësi financiare qoftë në pagesë të tatimeve, pagave apo kredive. Oda e Afarizmit kërkon që Qeveria të marrë masa për shtyrjen e mundshme të tatimeve dhe kredive, ndërsa bizneset që do të pësojnë dëme nga kjo pandemi të gjendet mënyra e kompensimit të tyre“, njofton Oda e Afarizmit të Kosovës, përcjell Klan Kosova.