Lajme

Federata maqedonase kërkon shtyrjen e ndeshjes me Kosovën

Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut ka kërkuar edhe zyrtarisht nga UEFA shtyrjen e ndeshjes me Përfaqësuesen e Kosovës në kuadër të Ligës së Kombeve.

Takimi mes Kosovës dhe fqinjëve tanë ishte caktuar të luhej në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup, më 26 mars 2020.

Megjithatë, pas zyrtarizimit të luajtjes së ndeshjes pa tifozë nga ana e Qeverisë së Maqedonisë, tani duket se ndeshja nuk do të zhvillohet fare, shkruan telegrafi, përcjell albinfo.ch.

Është Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut, e cila ka kërkuar shtyrjen e kësaj ndeshjeje shkaku i coronavirusit.

Kjo është bërë e ditur nga Federata e Maqedonisë së Veriut:

Njoftim për shkresë drejtuar UEFA-s për shtyrje të ndeshjes Maqedoni-Kosovë

Federata e futbollit të Maqedonisë edhe zyrtarisht me shkresë në UEFA ka kërkuar të shtyhet ndeshja Maqedoni-Kosovë në kuadër të gjysmëfinales së balotazhit për kualifikim në Kampionatin Europian, e caktuar të luhet më 26 mars 2020 në arenën nacionale “Todor Proeski” në Shkup.

Në letrën e drejtuar deri te Shtëpia e futbollit Europian, përveç problemit me tifozët (ndalesë për praninë e publikut nga ana e Qeverisë së vendit), FFM potencon problemin me arritjen e futbollistëve të ekipit përfaqësues në vendin tonë, gjegjësisht izolimin-karantinën eventuale të disa futbollistëve të caktuar që do të vinin nga vendet me nivel të lartë të pranisë së virusit COVID-19.

Pikërisht shkaku i këtyre shkaqeve të jashtëzakonshme, Federata e futbollit të Maqedonisë është në komunikim të vazhdueshëm dhe intenziv me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin për shëndet publik dhe në tërësi përmbahemi me rekomandimet e tyre, masat për parandalim apo edhe ndalesat.

Gjithashtu, pas konsultimeve me përfaqësues të Federatave të futbollit të Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë, kur dihet se njëra prej dy vendeve do të jetë vendas i duelit final të Ligës së Kombeve më 31 mars ku do të diskutohet kualifikimi në EURO 2020, informatat jozyrtare thonë se është e mundshme që përfaqësuesja që do të sigurojë kualifikim në finale, të përballet me masa të caktuara për kujdes dhe mbrojtje shëndetësore gjatë hyrjes në cilindo prej dy vendeve. Edhe në aspekt të kësaj problematike, FFM gjithashtu është në kontakt të vazhdueshëm me dy federatat e vendeve të lartpërmendura dhe UEFA-në.

Në pajtueshmëri me rekomandimet e fundit dhe ndalesat nga Qeveria e Maqedonisë për preventiva ndaj virusit COVID-19, Komisioni për futboll te moshat solli vendim që gjitha ndeshjet e kategorive të reja dhe ndeshjet e Ligave të fëmijëve të FFM të pezullohen për dy javët e ardhshme.