Opinione
Festa e shkollës shqipe
Një histori e popullit shqiptar dhe e shkollës shqipe shkruar nga Isuf Ismaili, mësues i Shkollës Shqipe në Zvicër
Në historinë e popullit shqiptar ka ngjarje jo vetëm të rëndësishme, për kohën kur kanë ndodhur, por edhe rrezatuese dhe dritëhedhëse edhe në ditët tona. Njëra nga këto ngjarje që ka lënë gjurmë të thella përgjithësisht, është edhe dita kur është çelur shkolla e parë shqipe. Pikërisht sipas dëshmive që i njohim më, 7 mars 1887 u hap shkolla e parë shqipe në Korçë. Por, kjo s`do të thotë aspak se gjuha shqipe nuk është mësuar edhe më parë. Në shkollat, ku mësonin shqiptarët në gjuhë huaja, në xhamitë, apo në kishat e shumta, kur në to kishte atdhetarë të devotshëm, fëmijëve shqiptarë jua mësonin edhe gjuhën shqipe, por pati edhe shkolla të pa publikuara, private në vende e familje të ndryshme të Shqipërisë. Megjithëkëtë më, 7 mars 1887 publikisht u hap shkolla e parë shqipe, e cila kapërceu atë periudhë të shkollimit të fshehtë.
Duke hedhur vështrimin para 133 vjetëve, duke kujtuar atë ditë të shkollës së parë shqipe, natyrshëm ne i kujtojmë patriotët atdhetarët e shquar, shkrimtarët, mësuesit e devotshëm, luftëtarët e lirisë e të arsimit shqip, të cilët me zgjuarsinë dhe largpamësinë e tyre tani e shikonin se përpjekjet me armë duheshin përforcuar edhe me aksione të shumta politike, por edhe me zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe. Ata jo vetëm letërsinë studimin e historisë, lëvrimin dhe studimin e gjuhës shqipe, shkencën në përgjithësi, por edhe shkollën shqipe e vunë në shërbim të rrugëtimit të ndritur kombëtar për çlirim nga Perandoria Osmane, e në këtë kuptim edhe për bashkim kombëtar pa dallim feje e krahine, duke paraqitur kështu një unitet kombëtar edhe përballë synimeve grabitqare të Serbisë, Greqisë e Malit të Zi.
Rrezatimi që e shpërndante shkolla e Korçës, shumë shpejt dha rezultate të ndjeshme, sepse pothuajse në tërë Shqipërinë hapeshin shkolla shqipe si në Prizren, Kolonjë, Pogradec, Elbasan, Shkodër etj. Këto shkolla hapeshim sipas konceptit të Rilindjes sonë Kombëtare për përhapjen e dijeve dhe përfshirjen e të gjitha viseve shqiptare në organizimet e arsimore, për nxënien e diturisë, mësimin e gjuhës shqipe, kultivimin e vetëdijes kombëtare e shoqërore nëpërmjet shkollës shqipe.
Shkolla shqipe si atëherë, por edhe kur shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare ishin nën Jugosllavinë e atëhershme, u bënë jo vetëm vatra të arsimit dhe kulturimit, por edhe shpallje të hapura të përkatësisë shqiptare, duke u bërë diga të forta kundër përpjekjeve asimiluese të pushtuesve osmanë e sllavo- grekë, por edhe dritare të përpjekjeve për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Në historinë e shkollës sonë kanë lenë gjurmë të pashlyera mësues e pedagogë, patriotë e shkrimtarë dhe shkencëtarë të shumtë si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Naim e Sami Frashëri , Konstadin Kristoforidhi, Naum Veqilharxhi, Jeronim De Rada, Sevastie Qiriazi, Luigj Gurakuqi, Migjeni, Aleksandër Xhuvani, Aleks Buda, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Rexhep Qosja, Rexhep Mejdani, Dhimitër Shuteriqi, Agim Vinca e qindra e mijëra mësimdhënës atdhetarë e të përkushtuar në të gjitha trojet shqiptare, në të tërë Shqipërinë. Në mesin e këtyre qëndrojnë yje të pashuara edhe mësuesit e veprimtarët e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, që ishin të pushtuara nga jugosllavët. Këta mësimdhënës krahas veprimtarisë arsimore vepruan edhe në organizimet atdhetare për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha viseve shqiptare.
Një pjesë e këtyre mësueseve janë edhe dëshmorë dhe heronj të Shqipërisë si Fazli Graiqefci, Xhemaili Berisha, Rexhep Mala etj. Po kështu me këtë rast duhet t`i kujtojmë dhe respektojmë edhe bashkëveprimtarët e tyre mësimdhënësit atdhetarë si Ahmet Qeriqi, Nezir Murtaj, Xhevdet Syla, Kadri Rexha, Lebit Murtishi, Martin Çuni, Muhamet Tërnava, Jakup Krasniqi, Shaqir Zeneli, Shaqir Shaqiri, Sherif Krasniqi, e shumë e shumë të tjerë, të cilët vuajtën edhe në burgjet e ferrit jugosllav dhe të cilët edhe sot e kësaj dite japin kontribut në veprimtarinë e tyre të shquar atdhetare.
Njeriu është i vetëdijshëm se arsimi, shkenca dituria e kultura janë pjesë të pandara të zhvillimit shoqëror, të cilat në radhë të parë kultivohen në shkolla, prandaj edhe festa e shkollës, dita e mësuesit është e rëndësishme jo vetëm për mësuesit , por edhe për të gjithë shoqërinë.
Shkolla shqipe duke na mësuar të kaluarën, duke na dhënë dije kulturë dhe shkencë duhet të na mësojë edhe se ç` duhet të bëjmë.
Në këtë kohë të trazimeve të mëdha politike është më se e domosdoshme që shkolla shqipe kudo në trojet tona, por edhe në diasporë të jetë udhërrëfyesja dhe pararoja e idealeve kombëtare e ndryshimeve zhvillimore dhe koncepteve për unitet të gjithanshëm shqiptar.
Naimi ynë i madh na thotë: “Dhe drita e diturisë, përpara do të na shpjerë”.
Të ngjashme
Opinione tjera
E-Diaspora
-
U protestua kundër pritjes së presidentit serb, Vuqiç, në Cyrih Në një mot të ftohtë dhe me shi, u shpalos pankarta e madhe që paraqiste kundërshtimin...
-
“Parandalo”: Personat me aftësi të kufizuara, të përfshihen në proceset vendimmarrëse
-
Së bashku, për një botë pa dhunë ndaj grave
-
Sonte, kryeministri Albin Kurti takon mërgatën në Bruksel
-
Berlin: Besim Gashi u nderua me mirënjohjen e arritjes nga autoritetet e Bundeswehr-it
Jeta në Zvicër
-
Gjenevë: Dyqanet nuk do të hapen më 22 dhjetor Dyqanet e Gjenevës nuk do të jenë të hapura të dielën, më 22 dhjetor. Departamenti i...
-
U protestua kundër pritjes së presidentit serb, Vuqiç, në Cyrih
-
Neuchâtel: Projekti për të ndihmuar të moshuarit viktima të mashtrimit
-
“Parandalo”: Personat me aftësi të kufizuara, të përfshihen në proceset vendimmarrëse
-
Sa përfituan punëtorët në Zvicër nga rritja e pagave