Lajme

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë: Taksa duhet shfuqizuar pa kushte

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), përmes një komunikate për media, shprehu shqetësimin e saj për, siç tha, diskursin e ditëve të fundit rreth tarifës që Republika e Kosovës u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

“Barrierat tarifore që shtetet e këtij rajoni i vendosin njëra-tjetrës e pengojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve, e rrjedhimisht ngadalësojnë avancimin e rrugëtimit të tyre euro-atlantik”.

“Në këtë aspekt, shfuqizimi pa kushte i vendimit për tarifën, në përputhje me kërkesën e presidentit (amerikan, Donald) Trump, sekretarit (amerikan) të Shtetit, (Mike) Pompeo, zyrtarëve të tjerë të lartë të administratës amerikane, si dhe Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, është i një rëndësie imperative, si dhe dëshmi e përkushtimit për marrëdhënie të jashtëzakonshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në komunikatën e OEAK-ut.

Oda Amerikane tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol kyç në Kosovë, përmes “investimeve të vazhdueshme për fuqizimin e ekonomisë, drejtësisë, qeverisjes demokratike dhe mbrojtjes e sigurisë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka paraqitur javën e kaluar planin e tij për heqjen e taksës, përcjell Albinfo.ch