Kosova
Vllaznim Xhiha: Jam këtu sepse “UNË E DU KOSOVËN”
“Me këtë “armatë” të re të të rinjve që kanë zhvilluar një mendësi të re pozitive dhe progresive, me shkathtësi për t’u përballuar me sfidat dhe ndryshimet e jetës moderne, më shtohet shpresa se Kosova do të bëhet një vend më i mirë për të jetuar”, thotë Vllaznim Xhiha
Pas më shumë se 25 vitesh të kaluara në Zvicër, ai kishte vendosur të kthehej në Kosovë. Sepse, “Zvicra nuk është se ka nevojë për njerëz si unë. Ndërsa në Kosovë, përkundrazi, mungesa e inxhinierëve dhe teknikëve profesionistë është e madhe”. Kjo frazë e shkurtë që ai e ka thënë për një medium zviceran, e shpjegon përpikmërisht hapin që Vllaznim Xhiha kishte ndërmarrë në vitin 2012. Njeriu me një karrierë prej inxhinieri dhe ndërmarrësi të suksesshëm të përmasave zvicerane e më gjerë, po u kthehej rrënjëve të tij, për të dhënë kontributin e vet në vendin e prejardhjes.
Por cila është parahistoria e kësaj, cilat janë arritjet e Xhihës në Zvicër, dhe në Kosovë që e bëjnë atë protagonist të këtij teksti?
Një “shënjestër” legjitime për kërshërinë e gazetarëve shqiptarë, Vllaznim Xhihën e bën fakti se është ndoshta shqiptari i parë që ka studiuar në ETH. Bëhet fjalë për universitetin numër një të Evropës Kontinentale, Politeknikumin e Cyrihut. Menjëherë pas diplomimit, në vitin 1976, ai është kthyer në Kosovë, për të punuar në fakultetin e porsahapur teknik në Universitetin e Kosovës. “Ka pasur shumë entuziazëm dhe idealizëm për të ngritur nivelin e shkollimit të lartë në gjuhën shqipe”, thotë ai në intervistën për albinfo.ch duke folur për atë kohë. Do të jetë sërish ky entuziazëm dhe idealizëm që do ta kthejë ing. Xhihën prapë në Kosovë. Por kësaj radhe me një mision tjetër: “Qëllimi ynë ka qenë dhe vazhdon të jetë realizimi i projekteve në dobi të shoqërisë kosovare. Që nga kthimi, jemi marrë pothuajse tërësisht me aktivitete filantropike përmes Fondacionit “UNË E DU KOSOVËN”, shprehet ai. Ndërsa vazhdimi është një histori suksesi, ku bëjnë pjesë projekte si “BONEVET”, “KOSOVA MAKERS LEAGUE”, “KOSOVAIDEAS” etj. Mijëra nxënës, fëmijë dhe të rinj kanë kaluar përmes këtyre projekteve që i ka ngritur Vllaznim Xhiha. Ai thotë se ka ende shumë punë për të përmbushur vizionin me të cilin ishte kthyer para tetë vitesh në Kosovë.
Albinfo.ch: Për aq sa kemi njohuri, ju jeni shqiptari i parë që ka diplomuar në universitetin prestigjioz, ETH të Cyrihut. Na përshkruani, si dhe kur ka ndodhur kjo. A keni takuar ose dëgjuar për shqiptarë tjerë në këtë universitet?
Vllaznim Xhiha: Nuk e di a kam qenë studenti i parë apo i vetmi shqiptar në Politeknikumin e Cyrihut (ETH). Gjatë studimeve unë nuk kam takuar aty asnjë shqiptar. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur para meje studentë të tjerë shqiptarë në ETH. Kjo mund të zbulohet lehtësisht duke e këshilluar arkivin e ETH-së.
Në vitin 1967 e kam nisur shkollimin e mesëm në gjimnazin matematikor-shkencor “Oberrealschule Rämibühl” në Cyrih. Si çdo fillim edhe për mua kjo fazë e shkollimit ka qenë shumë sfiduese, në veçanti për arsye se nuk kam ditur asnjë fjalë gjermanisht. Mirëpo, vullneti i madh për tu shkolluar në një gjimnaz kaq prestigjioz dhe dëshira e madhe për të mësuar një apo dy gjuhë të reja botërore, më kanë ndihmuar që t’i përballoj pengesat me sukses. Pas katër vitesh shkollimi, në vitin 1971 kam absolvuar gjimnazin dhe kam fituar diplomën e maturës. Në atë kohë, çdo maturant me përfundimin e gjimnazit në Zvicër është kualifikuar automatikisht për të ndjekur studimet në cilindo universitet të Zvicrës. Prandaj, me përfundimin e suksesshëm të maturës në Cyrih, unë e fitova të drejtën e studimit pa provim pranues në ETH. Jam regjistruar në fakultetin e elektronikës, drejtimi i automatikës.
Kur i keni mbaruar studimet në Universitetin ETH dhe ku keni filluar punën e parë?
Në vitin 1976 kam diplomuar duke e fituar titullin: Dipl.ing ETHZ dhe jam kthyer në Kosovë për të filluar punën si asistent në degën e re të elektronikës dhe të shkencave kompjuterike pranë Fakultetit Teknik në Universitetit të Kosovës (Prishtinës). Meqenëse dega e elektronikës ka qenë një drejtim i ri, edhe kuadrot kanë qenë të rinj, të shkolluar në Prishtinë, Zagreb, Sarajevë, Beograd dhe në qendra të tjera universitare. Një numër i konsiderueshëm i profesorëve ka qenë i ftuar nga qendrat universitare jashtë Kosovës. Pas vijimit të studimeve postdiplomike, gjenerata jonë e re e asistentëve ka magjistruar, doktoruar dhe kështu ka fituar drejtën për të ligjëruar dhe për të zëvendësuar profesorët nga jashtë.
Gjatë viteve të shtatëdhjeta dhe në fillim të viteve tetëdhjeta ka qenë një periudhë e lulëzimit të gjithmbarshëm të Universitetit të Prishtinës, nga i cili kanë dalë gjenerata të tëra të ekspertëve me cilësi të lartë dhe deri atëherë të paparë në trojet e Kosovës. Ka pasur shumë entuziazëm dhe idealizëm për të ngritur nivelin e shkollimit të lartë në gjuhën shqipe. Në UP kanë gravituar edhe studentët shqiptarë nga Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi. Ka qenë një periudhë e veçantë e zhvillimit të Kosovës dhe Prishtina ka marrë statusin e një qendre të rëndësishme kulturore dhe shkencore në trojet shqiptare.
Pastaj jeni kthyer sërish në Zvicër. Ku keni punuar fillimisht?
Në vitin 1985, jam nisur në Zvicër për të punuar si inxhinier në një ndërmarrje, prodhuese të “Sistemeve për furnizimin e energjisë pa-ndërprerje” ose UPS (Uninterruptible Power Supply). UPS-at shërbejnë për furnizimin e përdoruesve “kritikë”, që nuk tolerojnë ndërprerje të energjisë elektrike si për shembull qendrat llogaritëse të mëdha në banka, në sigurime, aeroporte, spitale dhe korporata. Fillimisht jam angazhuar në repartin teknik. Pastaj kam kaluar në repartin e marketingut dhe shitjes ku pas disa vitesh punë jam avancuar në pozitën e drejtorit të repartit. Gjatë kësaj periudhe më është dhënë mundësia që të komunikoj ngushtë me klientët me renome si UBS, CS, SBB, ASCOM dhe SWISSRE, për të kuptuar cilat janë kriteret kryesorë në procesin e vendimmarrjes së tyre për të zgjedhur sistemin e UPS-it më të përshtatshëm, me performancë të veçantë dhe të dalluar. Hulumtimi në fjalë na ka ndihmuar për të zbuluar drejtimin e zhvillimit potencial të një teknologjie inovative.
Ju njiheni si bashkëthemelues dhe bashkëpronar i ndërmarrjes së suksesshme zvicerane, “Newave”. Na thoni, cila është historia e themelimit dhe e zhvillimit të kësaj ndërmarrjeje?
Kolegu im, inxh. Filippo Marbach dhe unë, kemi skicuar kornizën e teknologjisë së re e cila premtonte përparësi krahas teknologjive tradicionale por Bordi e refuzoi, duke konsideruar se teknologjia e re, ishte e pa testuar në treg. Ky vendim na nxiti të nisim një kapitull të ri në karrierën tonë, kapitullin e ndërmarrësisë. Në vitin 1993 Filippo dhe unë themeluam ndërmarrjen NEWAVE në Lugano të Zvicrës. Në fillim zhvilluam teknologjinë e re, nisëm prodhimin dhe zgjeruam rrjetin e shitjes në Evropë. Në vitin 1996 ekspozuam produktet tanë në CEBIT, në panairin më të madh botëror të teknologjisë. Gjatë panairit, stenda jonë ka qenë më e vizituara nga të gjithë prodhuesit e UPS-ave. Suksesi i arritur në skenën ndërkombëtare, ka bërë që ndërmarrja jonë të bëhet e njohur si ndërmarrje high-tech. Pas premierës në CEBIT, firma jonë është rritur vit pas viti.
Fabrika Newave në vitin 2011
Në vitin 2007 Newave Energy SA ka bërë hapin e madh duke ia ofruar një pjesë të aksioneve publikut, përmes bursës së Cyrihut (SIX). Ky proces, i quajtur “Initial Public Offering” (IPO) ose gjermanisht “Börsengang”, ka zgjatur gjashtë muaj dhe ka përfunduar me sukses të plotë. Në atë kohë kemi pasur gjithsej 200 të punësuar, me 7000 UPS-a të shitura në vit në 60 shtete të botës me qarkullim vjetor nga CHF 80 milionë.
Në vitin 2012 Ju pastaj e keni shitur kompaninë që keni themeluar. Përse ndodhi kjo?
Të qëndrosh në elitën e tregut të UPS-ave si ndërmarrje e kuotuar në bursë është sfidë e konsiderueshme. Pritjet ambicioze të aksionarëve për rritjen e fitimit rezultojnë në presion të vazhdueshëm ndaj CEO’s dhe Bordit për të reduktuar kostot e prodhimit, për të zhvilluar produkte edhe më inovative dhe për të zgjeruar rrjetin e shitjes. Newave-i ia ka dalë që të rrisë në vazhdimësi shitjen dhe profitabilitetin. Njëkohësisht ndërmarrja ka qëndruar në maje të lidershipit teknologjik në tregun e UPS-ave. Rjedhimisht, Newave-i është bërë objekt atraktiv për blerje nga korporatat të mëdha e në veçanti nga korporata zvicerane ABB. Në vitin 2011 përfaqësuesit e ABB-së i kanë bërë ofertën Bordit për blerjen e Newave-it dhe pas negociatave disamuajshe është realizuar transaksioni. Kështu, Newave-i kaloi në pronësi të ABB.
Pas kësaj, ju u kthyet Kosovë. Kishit ndonjë synim për të arritur në vendlindje?
Përveç dëshirës për tu bashkuar me familjet tona, qëllimi ynë ka qenë dhe vazhdon të jetë realizimi i projekteve në dobi të shoqërisë kosovare. Që nga kthimi jemi marrë pothuajse tërësisht me aktivitete filantropike përmes Fondacionit UNË E DU KOSOVËN”.
Duke konstatuar, që nga kthimi ynë në Kosovë para tetë vitesh, se sistemi i arsimit është i vjetruar dhe i mangët, ne kemi vendosur që përmes Fondacioni UNË E DU KOSOVËN të ndërmarrim një hap pozitiv në këtë drejtim, duke themeluar qendrën “BONEVET”, një alternative jo-formale të shkollimit. Qendra “BONEVET” është një mjedis miqësor për fëmijët, ku ata inkurajohen të zbulojnë talentin dhe interesat e tyre përmes lojës dhe teknologjisë si dhe t’i zhvillojnë ato me dashuri dhe pasion. Mësimi i mbështetur në projekt, i nxit studentët të mendojnë në mënyrë krijuese dhe kritike, të zgjidhin problemet, individualisht ose në grupe, të thellohen dhe të mos heqin dorë, të udhëheqin dhe prezantojnë projekte. Me këtë metodologji të përparuar të mësimit, ne i ndihmojmë të rinjtë të përballen më mirë me sfidat dhe ndryshimet e shpejta të botës moderne.
Krahas “BONEVET” ne kemi themeluar edhe dy platforma të tjera. Platforma “KOSOVA MAKERS LEAGUE” është gara e parë dhe më e madhe e robotikës për shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë. Në vitin e parë kanë marrë pjesë 120 shkolla me gjithsej 600 nxënës. Ekipet fituese e kanë përfaqësuar Kosovën në garat rajonale evropiane dhe në Kampionatin Botëror të Robotikës në Guanzhou. Platforma e dytë është “KOSOVAIDEAS” për grumbullimin e fondeve (crowdfunding). Për më pak se dy vjet, më shumë se 200,000 euro të dhuruara nga një numër i madh i mbështetësve individualë dhe institucionalë, janë mbledhur në më shumë se 35 fushata të përmbyllura me sukses. Më të mëdhatë nga këto janë: qendra rinore “Termokiss” (Prishtinë), kinema “Lumbardhi” (Prizren) dhe kinema Anibar (Pejë) si dhe qendra rinore Ali Podrimja (Gjakovë).
Tash që ka kaluar një kohë e konsiderueshme nga themelimi i fondacioneve, a mendoni se janë përmbushur pritjet tuaja ose janë në rrugë të përmbushjes?
Jo, ende nuk janë përmbushur pritjet. BONEVET është një projekt afatgjatë me synim që të shtrihet në të gjitha anët e Kosovës. Deri më tash, më shumë se 5,000 studentë kanë marrë pjesë në klasa ose projekte të ndryshme në këtë kuadër. Projekti më i suksesshëm deri më tani është shndërrimi i një automjeti me benzinë në një automjet elektrik, nga 6 adoleshentë (3 vajza dhe 3 djem). Një numër jo i kënaqshëm të fëmijëve nga diaspora kanë vijuar kampet verore të njohura në BONEVET.
Qëllimi ynë është që në pesë vitet e ardhshme të kemi mbi dhjetë qendra BONEVET të shtrira në tërë territorin e Kosovës. Me funksionimin e plotë të këtyre qendrave, do të aftësohen më se 6’000 fëmijë për çdo vit në lëndë të ndryshme të teknologjisë, shkencës, inxhinierisë, artit, matematikës. Pas 10 vitesh ky numër mund të arrijë gjithsej 60’000 studentë. Jemi duke folur për një numër të konsiderueshëm të rinjve që do të jenë potencialisht të gatshëm të ballafaqohen me ndryshimet e shpejta të botës që i rrethon. Me këtë “armatë” të re të të rinjve që kanë zhvilluar një mendësi të re pozitive dhe progresive, me shkathtësi për t’u përballuar me sfidat dhe ndryshimet e jetës moderne, më shtohet shpresa se Kosova do të bëhet një vend më i mirë për të jetuar. Mendoj se atëherë më pak të rinj do të largohen nga Kosova dhe ndoshta, më shumë do të kthehen nga diaspora.
BONEVET, një histori e padiskutueshme suksesi
Sot kemi tri qendra BONEVET plotësisht në funksion. BONEVET Gjakova, udhëhequr nga Arbër Lleshi, është themeluar në vitin 2014 dhe i ka afërsisht 20 të punësuar. Në vitin 2019 janë aftësuar mbi 600 vajza dhe djem në klasat dhe trajnimet e ndryshme. BONEVET Prishtina, e udhëhequr nga Lekë Zherka, është themeluar në vitin 2017 dhe i ka afërsisht 30 të punësuar. Në vitin 2019 janë aftësuar afër 800 vajza dhe djem në klasat dhe trajnimet e ndryshme. BONEVET Kaçanik, e udhëhequr nga Shkëlzen Vishi, është themeluar në vitin 2018 dhe i ka afërsisht 10 të punësuar. Në vitin 2019 janë aftësuar afër 250 vajza dhe djem në klasat dhe trajnimet e ndryshme. Brenda këtij viti kemi në plan të hapim edhe 3 qendra të reja BONEVET në territorin e Kosovës. Për ne është me rëndësi t’i mbështesim të rinjtë edhe pas përfundimit të shkollës së mesme. Stafi ynë me përkushtim i udhëzon maturantët për mundësitë për të vazhduar shkollimin e lartë apo për trajnime për aftësim profesional. Në vitin e kaluar nga BONEVET Gjakova, 4 nxënës janë pranuar në Universitetin e Prishtinës, kurse 4 të tjerë kanë fituar bursa nga qendrat universitare jashtë Kosovës. Dhe në fund, dy prej nxënësve kanë filluar bizneset familjare dhe janë angazhuar si mentorë në BONEVET Gjakova. Jemi duke shpresuar se ky tregim i suksesit do të vazhdojë edhe në të ardhmen në mbarë Kosovën.
Në Universitetin ETH në vitet 70` nuk kam takuar shqiptarë tjerë
“Nuk e di a kam qenë studenti i parë apo i vetmi shqiptar në Politeknikumin e Cyrihut (ETH). Gjatë studimeve unë nuk kam takuar aty asnjë shqiptar. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur para meje studentë të tjerë shqiptarë në ETH. Kjo mund të zbulohet lehtësisht duke e këshilluar arkivin e ETH-së”.
- “UNË E DU KOSOVËN” është emri i fondacionit të ngritur nga z. Xhiha
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë nesër (24 nëntor) takimin me shqiptarët në Londër,...
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor