Bota

Rasti i tretë i vdekjes nga Koronavirusi në Itali

Një grua e moshuar, e sëmurë më parë, ka vdekur. Ajo kishte qenë duke u trajtuar në onkologji

Autoritetet kompetente të Italisë kanë konfirmuar të dielën në mbrëmje edhe vdekjen e tretë në Itali nga koronavirusi.

Një grua e moshuar, e sëmurë më parë, ka vdekur, ka deklaruar Giulio Gallera, zyrtar i shëndetit në Lombardi, shkruan sda.ch. Gruaja kishte qenë duke u trajtuar në onkologji, në klinikën Crema, transmeton albinfo.ch.

Numri i të sëmurëve në Itali tashmë është rritur në 150 veta, në pesë rajone. 112 raste janë vetëm në Lombardi, regjionin verior, në kufi me Zvicrën.

Italia ka vendosur të bëjë izolimin e qyteteve në veri të vendit për të parandaluar përhapjen e Koronavirusit. Këtë njoftim, Qeveria italiane e ka bërë shtunën në mbrëmje.

Kështu, sot, 11 qytete në veri të Italisë janë futur në rrethim (karantinë) me ndihmën e policisë dhe ushtrisë, përcjell albinfo.ch. Rreth 50,000 banorë të prekur, nuk lejohen më të largohen nga zona.

Në Karnavalin e Venecias, të gjitha ngjarjet e planifikuara për të hënën dhe të martën janë anuluar. Po ashtu Shtëpia e njohur e Operas në Milano “Scala” ka anuluar të gjitha shfaqjet deri në njoftimin e mëtejshëm.