Lajme

Serbia nuk do të dërgojë më infermierë në Gjermani

Serbia ndërpret papritur dërgimin e infermierëve në Gjermani, bën të ditur gazeta gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung". Grindje mes Vuçiqit dhe ministrit gjerman të Shëndetësisë, Jens Spahn.

Gjermania ka nevojë urgjente për infermierë e kujdestarë pleqsh. Pa fuqinë punëtore nga jashtë, shumë klinika e spitale në Gjermani nuk do të mund të funksiononin. Nevoja megjithatë është ende e madhe. Sipas përllogaritjeve të ndryshme, ende mungojnë në Gjermani, 50.000 deri në 100.000 forca punëtore në sektorin e shëndetësisë. Këtë krizë, Gjermania përpiqet të zbusë me tërheqjen e infermierëve të kualifikuar nga jashtë. Vendet e Ballkanit janë ndër vendet, nga ku Gjermania dëshiron të tërheqë infermierë. Në Gjermani vijnë infermierë nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut. Në bazë të një projekti të “Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, GIZ dhe Agjencisë Federale të Punës, BA, “Triple Win-Projekt” janë bërë marrëveshje edhe me Serbinë, Bosnjën, Tunizinë dhe Filipinet.

Münchner Sicherheitskonferenz – Serbien und Kosovo Aleksandar Vucic (picture-alliance/dpa/S. Hoppe)

Nuk duhet të ketë qenë lajm i mirë për Ministrinë e Shëndetësisë në Berlin ai i së enjtes, kur u bë e ditur papritur se Serbia ndërpret dërgimin e infermierëve në Gjermani. Madje, këtë marrëveshje Serbia mund ta ndërpresë plotësisht vitin e ardhshëm. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Zoran Gjordjevic, një marrëveshje aktuale është pezulluar dhe Serbia mund ta anulojë tërësisht marrëveshjen me Gjermaninë vitin e ardhshëm.

Në këtë kontekst kanë marrë një aktualitet të ri disa deklarata të Vuçiqit në një intervistë televizive nga fundi i vitit 2019, të cilat janë sjellë këto dy ditë në mediat gjermane. Në këtë intervistë televizive, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka përmendur ministrin gjerman të Shëndetësisë, Jens Spahn, që vitin e kaluar ishte në Kosovë dhe Meksikë për të tërhequr fuqinë punëtore në shëndetësi. Me tone kritike Vuçiq është shprehur për turnet e ministrit Spahn për marrjen e fuqisë punëtore. Agjencia gjermane dpa dhe gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” citojnë Vuçiqin me fjalët: “Ai thotë: Unë vij në Serbi dhe ju marr infermieret tuaja. Ia kam thënë në fytyrë, nuk dua që të vish në Serbi dhe të marrësh infermieret e mia. Të vlerësoj, je një ministër i shkëlqyer. Ke sistemin shëndetësor më të mirë në botë. Por mos hajde në Serbi”.

Ministria gjermane e Shëndetësisë nuk donte t’i komentonte këto deklarata. Por thuhet, se Jens Spahn nuk ka kërkuar asnjëherë në mënyrë aktive infermierë në Serbi. Vetë ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka reaguar të enjten ndaj deklaratës së Vuçiqit. Sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Spahn i ka hedhur poshtë akuzat e Vuçiqit, që me gjasë i është referuar Spahn me fjalët, ai do të “marrë” infermiere atje. Spahn është përgjigjur se lexoj “sot për biseda me të, që unë nuk i kam zhvilluar kurrë në këtë formë”.

Edhe një zëdhënëse e Agjencisë Federale të Punës është shprehur lidhur me deklaratat se mund të pezullohet marrëveshja, se “kjo nuk është mirë për ne, por sigurisht, që ne e respektojmë këtë vendim”. Edhe GIZ ka formuluar një qëndrim të njëjtë. Agjencia Federale theksoi megjithatë, se dihet ndërkohë, që në Serbi aktualisht shihet “më me kritikë, se më parë” një kalim i forcave të punës nga Serbia në Gjermani.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, gjithmonë ka theksuar, se marrja e fuqisë punëtore të infermierëve është vetëm një pjesë e zgjidhjes së krizës së mungesës së personelit. Por kritikët e tij në Gjermani thonë se pengesat janë më të mëdha se mendohej. Shoqata Gjermane e Caritasít paralajmëron ndërkohë për “qëndrime postkolonialiste” sipas motos “mjafton që ne në Gjermani zgjidhim problemin”. Presidenti i Caritasit, Peter Neher, në Europën Lindore thotë, se që tani mungojnë infermierë e mjekë. Edhe integrimi i infermierëve të rinj nuk është aq i thjeshtë sa mendohej.

Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Punës në Gjermani, në kuadër të projektit “Triple Win 2013” kanë ardhur në Gjermani 5797 infermierë nga Serbia, Bosnja, Filipinet dhe Tunizia.