Lajme

Më 6 mars zhvillohet ndeshja Kosovë – Rusi

Kombëtarja e Kosovës do të luajë më 6 mars kundër Kombëtares së Rusisë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2021.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “BRITA-Arena” në Wiesbaden të Gjermanisë, në orën 18:00. Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se hyrja për të gjithë tifozët do të jetë pa pagesë. Dardanët deri më tash kanë zhvilluar tri ndeshje kualifikuese në kuadër të Grupit A, duke realizuar dy fitore e një humbje.

Kosova arriti të mposhtë në shtëpi Turqinë, 2:0 dhe Estoninë si mysafire, 2:1, derisa pësoi humbje nga Sllovenia si mysafire, 0:5. Gjashtë pikë nga tri ndeshje të zhvilluara i ka arkëtuar edhe Rusia, derisa renditjen e kryeson Holanda me 18 pikë nga 6 ndeshje të zhvilluara, Sllovenia është në pozitën e dytë me 6 pikë nga pesë ndeshje të zhvilluara.

Ndeshja me Rusinë do të jetë mundësi e mirë edhe për shqiptarët në Gjermani, të cilët pritet t’u japin mbështetje vashave tona, shkruan rtv21, përcjell albinfo.ch.