Lajme

Mjekët kosovarë, drejt ikjes

“Në sektorin publik shëndetësor në Kosovë mungojnë 5,000 punëtorë, në shëndetësinë familjare, mungojnë rreth 200 mjekë. Në anën tjetër 400-500 mjekë janë të papunë"

Mjekëve kosovarë, siç duket po ua sheh hairin shteti gjerman. Madje, thirrje për migrim më të lehtë drejt këtij shteti po bën edhe vetë kreu i shëndetësisë, ministri gjerman, Jens Spahn. Dikasteri që ai e udhëheq ka nevojë edhe për 80 mijë punëtorë shëndetësorë, përcjell albinfo.ch.

Kryetari i Odës së Mjekëve në Kosovë, Pleurat Sejdiu, ishte shprehur se nëse vazhdohet me këtë trend, Kosova për një kohë shumë të shkurtër rrezikon të mbetet pa profesionistë të rinj shëndetësorë.

Nga ana tjetër, Edita Krajkova, kryeinfermiere e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka pasur oferta për t’u punësuar jashtë Kosovës në profesionin e saj, por për disa çështje familjare hoqi dorë. Një mundësi të këtillë e shfrytëzuan disa kolege të saj në repartin ku ajo punon.

“Një infermiere është larguar në Amerikë, sepse i është ofruar një punë shumë më e mirë, si nga ana financiare, edhe profesionale”, tregon ajo për Kosovalive.

Duhet theksuar se repartin ku punon tash 20 vjet, Krajkova thotë se balafaqohen me vështirësi të shumta, ndër to si kryesore rritja e numrit të pacientëve dhe mungesa e stafit. Shqetësim tjetër mbetet fakti se infermiereve që e përcjellin kemioterapinë nuk iu paguhet rreziku për ekspozimin nga disa preparate që përdoren gjatë kësaj terapie.

Po ashtu, në sistemin shëndetësor në Kosovë, përpos pagës joadekuate, shumë infermierë pas përfundimit të studimeve, nuk kanë mundësi të punësohen në sektorin publik apo edhe atë privat shëndetësor, një nga arsyet që i ka shtyrë disa të kërkojnë zgjidhje gjetkë.

Mjekët të emigruar thonë se, edhe pse kushtet e punës në Gjermani nuk janë ashtu siç i kishte menduar, krahasuar me Kosovën i vlerëson shumë më të mira.

Sipas Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, vetëm në vitet 2010–2013, nga Kosova janë larguar rreth 400 mjekë, ndërkohë që ndër vite nga shëndetësia kosovare janë larguar mbi 600 punonjës të profileve të ndryshme.

Vetëm ditëve të fundit dy kardiokirurgë dhe katër anesteziologë janë larguar nga QKUK-ja.

Kryetari i kësaj sindikate, Blerim Syla, thotë se në sistemin shëndetësor publik në Gjermani aktualisht punojnë rreth 290 mjekë nga Kosova, ndërkohë që te ne ndihet mungesa e stafit mjekësor.

“Në sektorin publik shëndetësor në Kosovë mungojnë 5,000 punëtorë, në shëndetësinë familjare mungojnë rreth 200 mjekë. Në anën tjetër, 400-500 mjekë janë të papunë… Mosha mesatare te mjekët e mjekësisë familjare është 57 vjet, e në përgjithësi është 53 vjet”, tregon ai.

Në Odën e Mjekëve të Kosovës thonë se gjatë vitit 2019, gjithsej 115 mjekë kërkuan certifikatën e pastërtisë etiko-profesionale (certifikatë që nevojitet për punësim në shtetet e BE-së), shumica dërmuese mjekë të sapodiplomuar.

Se sa alarmante është gatishmëria e mjekëve të rinj që të largohen nga Kosova, tregon edhe një hulumtim i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës në vitin 2013, ku nga 1,050 studentë në vitin e fundit të studimeve në mjekësi, 73% kanë deklaruar se janë duke vijuar kurset e gjuhëve të huaja dhe se do të largohen nga Kosova.

“Interesante ishte se në përgjigjet e studentëve paga kishte qenë numër 3-4 si arsye për t’u larguar: e para ka qenë ta gjejnë një vend të punës, e dyta ka qenë që t’i ikin politizimit, pra të punësohen sipas meritokracisë, dhe e treta ka qenë kushtet e punës më të favorshme, këtu janë të përfshira specializimet dhe edukimet e vazhdueshme”, tregon Syla.

Sipas përllogaritjes së Sindikatës së Shëndetësisë, një kuadër mjekësor deri në përfundim të studimeve, shtetit të Kosovës i kushton 100 mijë euro. Nuk është vështirë të llogariten dëmet që po i shkakton imigrimi i stafit mjekësor Republikës së Kosovës.

Eridë Ferizaj, nxënëse në klasën e 12, në Shkollën e Mesme të Mjeksisë në Pejë, që tash i ka filluar përgatitjet që të largohet nga Kosova.

“Në Gjermani vlerësohet më shumë puna dhe kushtet janë të volitshme. Kam filluar të interesohem të mësoj gjuhën gjermane. Synoj të fitoj vizë pune nëpërmjet konkurseve ose agjencioneve të punësimit”, thotë Ferizaj.

Ligj i ri për fuqinë punëtore që e ka miratuar Gjermania hyn në fuqi më 1 mars 2020. Me këtë, personave që jetojnë jashtë Bashkimit Europian, ku përfshihet edhe Kosova, u kërkohet verifikimi i diplomës së shkollimit profesional në Gjermani, si dhe njohja e gjuhës gjermane në një nivel të caktuar.

Interesimi për punësim të punëtorëve shëndetësorë në Gjermani po reflektohet edhe në rritjen e numrit të kurseve të gjuhës gjermane.

Një ndër organizatat që merren me këtë, “Euro-Lingua – kurse të gjuhës gjermane”, ka lidhur marrëveshje me firmën për ndërmjetësim-rekrutim të stafit medicinal “IPP-health” nga Kolni në Gjermani.

Studentët infermierë që regjistrohen në këtë kurs plotësojnë një CV. Kushtet që kërkohen janë: diploma e shkollës së mesme të mjekësisë/infermieri, licenca e punës dhe njohja e gjuhës gjermane në nivelin B1.

Nëse i përmbushin kushtet e kërkuara kandidatëve u mbulohen shpenzimet e kursit të gjuhës deri në nivelin B1, që zgjatë 6 muaj. /Albinfo.ch