Integrimi

Nisret Bujari zgjidhet asamblist në Baden të Austrisë

Nisreti është renditur si njëri nga 3 asamblistët më të votuar nga Partia Popullore e Austrisë (ÖVP) në Baden

Nisret Bujari ka fituar në zgjedhjet komunale që janë mbajtur të dielën, më 26 janar 2020, në qytetin Baden, në landin e Austrisë së  Ulët (Niederösterreich). Ai është zgjedhur asamblist për Këshillin Komunal në Baden të Austrisë.

Fitoren për asamblist në Këshillin Komunal në Baden e ka konfirumuar për albinfo.ch, edhe vetë Nisreti.

Suksesi i Nisretit është vazhdim i sukseseve të shqiptarëve në Austri që, përveç fushave të tjera, çdo ditë e më shumë janë aktivë edhe në politikën austriake.

Nisreti është renditur një nga 3 asamblistët më të votuar nga Partia Popullore e Austrisë (ÖVP) në Baden, shkruan albinfo.ch. Në këtë qytet, ÖVP, parti kjo e cila udhëhiqet nga kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka fituar 41,60 % të votave, duke shtuar në 18 numrin e asamblistëve nga 15 që kishte deri më tash“,shkruan albinfo.ch.

Nisret Bujari është nga Suhareka, ndërsa nga viti 1999 jeton në Baden të Austrisë. Fillimisht ai është marrë me gastronomi, ndërkohë që nga viti 2015 hap një firmë të kopshtarisë.

Në Baden jetojnë një numër i madh i shqiptarëve. Me Nisretin në Këshillin Komunal tashmë shqiptarët do ta kenë një adresë për të drejtuar shqetësimet dhe kërkesat e tyre.