Bota

Virusi “Corona” mbërriti në Evropë: Paraqiten 2 raste në Francë

Njëri rast raportohet të ketë ndodhur në Bordeaux ndërsa tjetri, në Paris. Ndërkohë, në Kinë janë konfirmuar 26 raste vdekjesh nga ky virus

Virusi i rrezikshëm “Corona”, i paraqitur në Azi, për herë të parë ka arritur edhe në Evropë: Janë tashmë 2 raste të konfirmuara me këtë virus që janë zbuluar në Francë, shkruajnë mediat botërore.

Këto janë njëherësh rastet e para që janë raportuar deri më tani në Evropë, transmeton albinfo.ch. Ministri francez i shëndetësisë Agnes Buzyn ka konfirmuar për mediat ekzistimin e dy infeksioneve me virusin Corona.

Njëri rast raportohet të ketë ndodhur në Bordeaux ndërsa tjetri, në Paris. Buzyn ka theksuar se autoritetet do të bëjnë gjithçka për të parandaluar përhapjen e virusit.

Në Kinë, pothuajse 900 njerëz tashmë janë prekur nga virusi i ri. Autoritetet shëndetësore të Kinës kanë konfirmuar 26 raste vdekjesh. Autoritetet kineze kanë bërë bllokimin e disa qyteteve për të penguar përhapjen e infektimeve, përcjell albinfo.ch. Virusi së pari u shfaq në qytetin Wuhan.