Kosova
Qëllimi i një ndërmarrjeje është më shumë se suksesi ekonomik
Vllaznim Xhiha: “Nisma swissalbs është e qëlluar nëse ndërmarrësit shqiptarë që punojnë në Zvicër, rrjetëzohen me njëri-tjetrin dhe në këtë mënyrë krijojnë mundësi të reja për bashkëpunim me ndërmarrësit shqiptarë”
“Të jesh ndërmarrës është një punë e veçantë dhe nëse je i prirur për punë, investime dhe inovacione, ke përmbushur kushtet themelore për t’u bërë një ndërmarrës i suksesshëm”. Këtë e thotë njeriu që e di saktësisht për çfarë po flet. Ai është Vllaznim Xhiha, një personalitet me biografi të pasur prej ndërmarrësi, inxhinieri dhe docenti universitar. Në intervistën për albinfo.ch Xhiha flet për krijimin e rrjetit swissalbs, pastaj për nismën e këtij rrjeti për të shpërblyer ndërmarrësin më të mirë të rinj shqiptaro-zviceranë” etj.
Albinfo.ch: Kush është Vllaznim Xhiha?
VX: Unë jam ndërrmarrës. Kam mbaruar shkollën e mesme dhe studimet e inxhinierisë në Cyrih, në vitin 1976. Pas disa viteve pune profesionale, si i punësuar në Kosovë dhe në Zvicër, fillova karrierën time si sipërmarrës në Ticino, në vitin 1993. Së bashku me një koleg zviceran, themelova kompaninë e teknologjisë së lartë NEWAVE ENERGY AG për prodhimin e sistemeve UPS (furnizim me energji të pandërprerë) në Lugano. Si rezultat i rritjes së suksesshme dhe relativisht të shpejtë të kompanisë, ne përfunduam me sukses një IPO (Listim në bursë) në Cyrih, në vitin 2007. Në vitin 2011, kompania jonë, e cila kishte 200 të punësuar dhe furnizonte me produktet e saj më shumë se 60 vende, u mor nga korporata e madhe ABB. Gjatë këtyre viteve, unë kam drejtuar kompaninë si CEO ndërsa për katër vitet e fundit kam qenë president i bordit të drejtorëve. Në të njëjtin vit dhe pas 25 vitesh të bërjes biznes në Zvicër, gruaja ime dhe unë vendosëm të kthehemi në vendin tonë, në Kosovë. Ne themeluam fondacionin “UNË E DU KOSOVËN”, i cili ndër të tjera mbështet projekte në fushat e artit, arsimit dhe sportit. Projektet më të njohura dhe më të suksesshme tonat janë qendrat arsimore krijuese “BONEVET”, platforma më e madhe e garave për robotikë në Kosovë “KOSOVA MAKERS LEAGUE” dhe platforma e parë për crowdfunding në Kosovë, “KOSOVAIDEAS”.
Albinfo.ch: Ju keni themeluar dhe menaxhuar një kompani të suksesshme në Zvicër. Çfarë do t`i këshillonit ndërmarrësit e rinj shqiptarë në Zvicër?
VX: Të jesh sipërmarrës është një punë e veçantë dhe nëse je i prirur për punë, investime dhe inovacione, ke përmbushur kushtet themelore për t’u bërë një ndërmarrës i suksesshëm. Themelimi i një kompanie zakonisht fillon me një ide të veçant të biznesit, nga e cila duhet të përfitojë klienti. Për të zhvilluar këtë ide në një produkt ose në një shërbim, kërkohet udhëheqje kompetente dhe mjete të mjaftueshme financiare. Përmes ndërveprimit të qëllimeve të definuara qartë, përqendrimit vetëm në punët e rëndësishme dhe angazhimit të palodhur, rritet efektiviteti i ndërmarrjes dhe kështu rriten edhe shansat për sukses. Përveç funksionit ekonomik, përgjegjësia sociale e ndërmarrjes po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Aktivitetet sociale dhe ato të mbrojtjes së mjedisit janë në qendër të kësaj përgjegjësie.
Albinfo.ch: Ku i shihni përparësitë e rrjetëzimit të sipërmarrësve shqiptarë në Zvicër dhe si e vlerësoni nismën swissalbs në këtë drejtim?
VX: Ndërmarrësia është një koncept që nuk duhet të kufizohet në një komb ose në një grup etnik. Sidomos jo sot, kur interneti gjithëpërfshirës dhe lëvizja e pakufizuar u japin të gjithë ndërmarrësve qasje në të gjitha tregjet në botë. Duke thënë kështu, mendoj se nisma swissalbs është e qëlluar nëse ndërmarrësit shqiptarë që punojnë në Zvicër, rrjetëzohen me njëri-tjetrin dhe në këtë mënyrë krijojnë mundësi të reja për bashkëpunim me ndërmarrësit në Kosovë. Kjo sigurisht mund të krijojë sinergji të reja me përfitime të ndërsjella. Për shembull, ndërmarrjet zvicerane mund të siguronin, nga njëra anë, qasjen ndaj punës me çmim më të lirë në Kosovë, dhe, nga ana tjetër, kompanitë kosovare mund të bënin një depërtim më të lehtë në tregun konkurrues zviceran.
Albinfo.ch: Ju jeni kthyer në Kosovë pas shumë vitesh pune në Zvicër. A mund të na shpjegoni me pak fjalë se cila është puna juaj e tanishme?
VX: Që kur u kthyem në Prishtinë tetë vjet më parë, ne jemi marrë pothuajse ekskluzivisht me aktivitete filantropike. Ne mbështesim dhe promovojmë koncepte inovatore në fushat e arsimit, artit dhe sportit. Bëhet fjalë për projekte që kanë një ndikim të qëndrueshëm pozitiv shoqëror. Për shembull, fondacioni për promovimin e krijimtarisë “BONEVET” është një qendër arsimore jofitimprurëse. Është një mjedis miqësor për fëmijët, ku ata dhe të rinjtë inkurajohen të zbulojnë talentin dhe interesat e tyre përmes lojës dhe teknologjisë si dhe t’i zhvillojnë ato me dashuri dhe pasion. Mësimi i mbështetur në projekt, i nxit studentët të mendojnë në mënyrë krijuese dhe kritike, të zgjidhin problemet, individualisht ose në grupe, të thellohen dhe të mos heqin dorë, të udhëheqin dhe prezantojnë projekte. Me këtë metodologji të përparuar të mësimit, ne i ndihmojmë të rinjtë të përballen më mirë me sfidat dhe ndryshimet e shpejta të botës moderne. Katër qendra BONEVET janë themeluar që nga viti 2014, në Gjakovë, Prishtinë, Tiranë dhe Kaçanik.
Deri më tani, më shumë se 5,000 studentë kanë marrë pjesë në klasa ose projekte të ndryshme në këtë kuadër. Shumë nga fëmijët e bashkatdhetarëve tanë që kalojnë pushimet në Kosovë gjithashtu marrin pjesë në kampet tona të njohura verore. Projekti më i suksesshëm deri më tani është shndërrimi i një automjeti benzine në një automjet elektrik nga 6 adoleshentë (3 vajza dhe 3 djem).
Siç u përmend tashmë, si pjesë e BONEVET kemi themeluar platformën e parë dhe më të madhe të garave të robotikës “KOSOVA MAKERS LEAGUE” për shkollat fillore dhe të mesme. Në vitin e parë morën pjesë 120 shkolla me gjithsej 600 nxënës. Ekipi fitues më pas ka marrë pjesë në garat rajonale evropiane dhe më tutje, në Kampionatin Botëror të Robotikës në Guanzhou.
Së fundmi, do të dëshiroja t’i referohem platformës së grumbullimit të fondeve (crowdfunding) “KOSOVAIDEAS”. Në më pak se dy vjet, më shumë se 200,000 euro të dhuruara nga një numër i madh i mbështetësve individualë dhe institucionalë, janë mbledhur në më shumë se 35 fushata të përmbyllura me sukses. Më të mëdhatë nga këto janë: qendra rinore “Termokiss” (Prishtinë), kinema “Lumbardhi” (Prizren) dhe kinema Anibar (Pejë) si dhe qendra rinore Ali Podrimja (Gjakovë).
E-Diaspora
-
Bernë: Dorëzohet për votim nisma që kërkon lehtësim të natyralizimit “Aktion Vierviertel” ("Katër të katërtat) ka dorëzuar sot në Bernë “Nismën për Demokracinë”, në krye të...
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
Jeta në Zvicër
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha Zvicra mbetet, deri tani, kampionia evropiane e udhëtimit me tren. Si për nga numri i udhëtimeve...
-
Bernë: Dorëzohet për votim nisma që kërkon lehtësim të natyralizimit
-
Gjykata Federale: Personat mbipeshë tani mund të marrin pension IV
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur
-
Zviceranët do të votojnë për natyralizim më të lehtë