Integrimi
Prof. Dr. Xhemali: Zvicra duhet t`ua njohë diplomat eksterne mjekëve shqiptarë
Prof. Dr. med. Omer Xhemali, kardiokirurg dhe shef i Klinikës për Kardiokirurgji të spitalit Triemli në Cyrih, njëherësh kryetar i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, në intervistën dhënë Albinfo.ch veç tjerash thotë: Do të angazhohem për njohjen e diplomave eksterne të mjekëve shqiptarë në Zvicër
Një vit pas themelimit të Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës (LMSHZ), në një simpozium të gjerë që kanë zhvilluar mjekët shqiptarë në Zvicër, albinfo.ch ka intervistuar kryetarin e saj, kardiokirurgun Prof. Dr. med. Omer Xhemali, për të mësuar nga afër për punën që është bërë gjatë këtij viti konsolidues dhe hapat që do të ndjekë kjo organizatë në të ardhmen.
Albinfo.ch: Një vit më parë, në Kuvendin Zgjedhor të Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës, me gjithë mungesën tuaj, jeni zgjedhur kryetar i LMSHZ-së, duke marrë fillimisht votat e mjekëve të pranishëm për t’u zgjedhur në kryesi dhe pastaj votat e anëtarëve të kryesisë për kryetar të LMSHZ-së. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Omer Xhemali: Të nominohesh e të votohesh për kryetar, edhe pse nuk je prezent, kjo e bën gjithë situatën mjaft delikate, por unë jam falënderues për respektin që më kanë dhënë kolegët, pasi që nuk është diçka e përditshme kur vendimet e tilla të merren në mungesën e dikujt. Kjo, natyrisht, më ka inkurajuar t’ju përgjigjem pozitivisht atyre. Për mua kjo nuk është ndonjë emërim për stolisje por është vetëm një hapje e dyerve dhe një pergjegjësi për një punë e cila na priste e na pret që të bëjmë më tutje.
Albinfo.ch: Këtu, sigurisht lexuesve do t’u interesonte të dinin, çfarë e bën doktorin të marrë kaq shumë vemendjen e kolegeve dhe kolegëve; titulli apo personaliteti?
Omer Xhemajli: Unë nuk e ndaj mendimin me ju se marr vëmendjen e kolegëve në mënyrë specifike. S’besoj se është ajo.
Albinfo.ch: Duket profesor?
Omer Xhemali: Unë nuk e shoh. Unë mendoj se jam i barabartë me të gjithë dhe çdo mjek e ka vendin e tij e duhet të jemi krenarë që kemi më shumë se 120 mjekë shqiptarë në Zvicër, të cilët në kuadër të profesionit, bëjnë një punë të shkëlqyer. Nuk duhet të flasim për një person në veçanti.
Albinfo.ch: Të themi kështu, nëse para një viti gjatë themelimit LMSHZ zgjodhi një kryetar që nuk ishte prezent, ku është sot me kryetarin që është këtu?
Omer Xhemali: Shoqata e Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës, si çdo shoqatë ka kuvendin, i cili i jep direktivat e punës për të ardhmen. I njëjti kuvend e ka të drejtën të zgjedhë kryesinë dhe unë rastësisht jam anëtar i kësaj kryesie. Nuk duhet të flitet se kryetari e ka bërë punën, por se kryesia e Shoqatës së Mjekëve ka bërë punë të shkëlqyer. Në vitin e parë kemi shfrytëzuar kohën që të bëjmë themelimin e shoqatës në bazat juridike, që t`i vendosim themelet e shëndosha e sa më profesionale. Unë mendoj se në 12 muaj që kemi kaluar kemi arritur qëllimin dhe tani kemi një shoqatë, e cila është e regjistruar juridikisht në sistemin shtetëror të Zvicrës. Kemi një shoqatë që ka më shumë se 80 anëtarë që paguajnë anëtarësinë e tyre. Kemi një shoqatë, e cila sapo mbaroi simpoziumin e parë profesional me të gjitha kushtet profesionale të organizimit të një simpoziumi të këtillë, për çfarë të gjithë ne, këtu mendoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në kuvend, duhet të jemi krenarë me këte që kemi bërë.
Albinfo.ch: Çka përfiton një mjek shqiptar më shumë nëse anëtarësohet në Lidhjen e Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës, ta marrim p.sh. në krahasim me anëtarësimin në një shoqatë zvicerane?
Omer Xhemali: Unë këtë do ta ktheja ndryshe: çka nuk përfiton një mjek. Unë nuk e shoh se ka ndonjë dëm një mjek shqiptar të jetë anëtar i shoqatës. Përkundrazi, mendoj se një organizim i këtillë do të na japë fuqi që së bashku të realizojmë qëllimet që me të vërtetë janë shumë kyqe sa i përket punës profesionale të mjekëve e posaqërisht të mjekëve që kanë ardhur nga vendlindja dhe e ndërrojnë epiqendren e jetës profesionale të tyre. Unë mendoj se kjo do të jetë njëra ndër detyrat tona kryesore në të ardhmën. Veç detyrës tjetër që e shoh si shumë primare, rrjetëzimin e mjekëve shqiptarë në veprimet e ndryshme të tyre që të kenë qasje profesionale, miqësore e sociale nëpërmjet kësaj shoqate. Këto pika do të ndihmojnë anëtarët të cilët regjistrohen në shoqatë.
Albinfo.ch: Lidhja e Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës është prezantuar sot me një simpozium të gjerë, duke sjellë kështu emra të njohur të mjekësisë zvicerane. A është kjo rruga që do të ndjekë LMSHZ? Cilat janë planet e së ardhmes, si do të veproni tutje?
Omer Xhemali: Simpoziumi i sotëm ishte një rast i mirë për t`i takuar kolegët tanë që janë aktivë në Zvicër, por edhe të vendeve tjera në Europë dhe më tej. Ky ishte një simpozium profesional ku u fol për diabetin si nje sëmundje, e cila lidh shumë profesione të ndryshme dhe e ne e pamë të arsyeshme që të organizojmë një simpozium të këtillë. Veç kësaj, qëllimi i shoqatës sonë është rrjetëzimi i mjekëve shqiptarë në Zvicër. Megjithatë, njëra ndër pikat kryesore që do të jetë në agjendën time personale për vitin e ardhshëm, është që të bëjmë të mundur kanalizimin e njohjes së diplomave nga ana e MEBEKO’s, të kolegëve tanë të cilët jetojnë në Zvicër por që i kanë marrë ato në vende të tjera. Kjo nuk do të thotë se ne kërkojmë që ato të pranohen pa asnjë kusht, por që të caktohen normativa të njëjta për të gjithë.
Albinfo.ch: Pyetje ime për fund është: a mund të themi se organizimi i LMSHZ-së është koka e të gjitha organizimeve të tjera, duke u nisur nga rëndësia e profesionit që kanë dhe janë të angazhuar për në jetën e përditshme zvicerane?
Omer Xhemali: Organizimi i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër është një shembull që duhet të merret pozitivisht, por nuk e shoh si lapidar apo mbajtës të bajrakut për çfarëdo qëllimi tjetër. Ne jemi një organizim profesional, me qëllime të caktuara, me statut të etabluar, të mirëfilltë dhe të miratuar nga të gjithë anëtarët. Kornizat e punës sonë do të ngelin vetëm në këto pika. Nuk bëhet fjalë këtu për marrjen e pozicioneve të çfarëdo qëllimi tjetër.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës