Gruaja

Shqiptarja prezanton luftën e Kosovës në Muzeun Kanadez

Shqiptarja e quajtur, Albiana Bugujevci, në një konferencë në Kanada lidhur për abuzimin për të drejtat e njeriut në mbarë botën, ka rrëfyer historinë e dhunës dhe dëbimit të popullit shqiptar nga territori i Kosovës pas pushtimit serb.

Në një intervistë ajo tregon se Canadian Museum for Human Rights është muzeu i parë në botë i kushtuar të drejtave të njeriut. Famirësisht, ky muze është ndërtuar në Winnipeg, një qytet të cilin më shumë se 400 shqiptarë e konsiderojnë shtëpi.

“Mundësia për t’u treguar historinë tonë në këtë muze do t’i jepte një këndvështrim të rëndësishëm rreth përpjekeve tona për liri dhe rezistimit të okupimit shumëvjecar. Po ashtu, do të edukonte kanadezët apo vizitorët e muzeut rreth pasojave dhe dhimbjeve që populli ynë vazhdon t’i ketë si pasojë e kësaj lufte tragjike. Andaj, ne si komunitet do të mundohemi që këtë shkëmbim të përvojës tonë ta kemi prezent në CMHR, sepse, rezistenca dhe rimëkëmbja jonë nga një luftë e tillë do t’u shtojë vlerë debateve rreth avancimit të drejtave të njeriut”, u shpreh Bugujevci.

Po ashtu, ajo tregon për “Albanian Montreal Press” se qëllimi i saj ishte të tregonte para të gjithëve për padrejtësitë që i janë bërë popullit shqiptar.

“Doja t’i informoja pjesëmarrësit për padrejtësitë që i janë bërë popullit shqiptar gjatë luftës në Kosovës. Doja t’i njoftoja të gjithë se, edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga lufta, familjet e të vrarëve dhe të zhdukurve dhe viktimat e dhunës seksuale ende jetojnë në agoni dhe se për ta lufta nuk ka mbaruar ende”, tha ajo.

“U ndjeva krenare, pasi që isha zëri i popullit tim për herë të parë në Muzeun Kanadez për të Drejtat e Njeriut”, përcjell albinfo.ch.