Tematike

Pasaporta zvicerane, “shpëtim” për siguruesit e veturës

Sa paguan për sigurimin e makinës së tij një i huaj me shtetësi kosovare dhe sa do të paguajë ai sapo të marrë pasaportën zvicerane? Albinfo.ch ju tregon shembuj konkretë

Platformat elektronike tashmë janë bërë një lehtësues i madh në përzgjedhjen e automjeteve, për të cilat kemi interes t`i blejmë. Pasi që një qytetar përcaktohet për ndonjë veturë të pëlqyer nga ai, para se ta vejë në qarkullim atë, duhet të pajiset me tabela të qarkullimit, të cilat jepen pasi që personi në fjalë ka nënshkruar fillimisht kontratën për sigurimin e veturës.

Po ashtu për ta bërë sigurimin e makinës, tashmë ofrohen mundësi të shumta nga kompani të ndryshme. Siç është raportuar edhe më herët, një gjë që bie në sy është varieteti i çmimeve për kategori të ndryshme. Mosha, gjinia, por edhe kantoni, luajnë një rol të madh në çmimin e polisës së sigurimit.

Por, dallimi që tërheq vëmendjen më të madhe është pa dyshim ai që lidhet me kombësinë apo vendin e prejardhjes së të siguruarve, si dhe shpesh, edhe me statusin e qëndrimit të tyre në Zvicër.

Suad Salihi, polimekanik nga një komunë e Kantonit të Bernës, pas blerjes së një veture të markës Audi model Q5, për një sigurim me kasko të plotë, ishte detyruar të paguante 2250 franga zvicerane. I ardhur si fëmijë në Zvicër, ai në kohën kur siguroi veturën kishte lejeqendrimin e përhershëm në Zvicër (Viza C). Një shumë kaq të lartë për sigurimin e veturës duhej paguar vetëm për faktin se ai llogaritej ende i huaj në Zvicër.

Pas disa vitesh, së bashku me familjen, aplikon për shtetësi zvicerane, e ndërkohë e ndërron edhe veturën. Duke qenë se kishte kryer shumicën e procedurave, e duke marrë një konfirmim pozitiv të autoriteteve komunale, ai ende ishte në pritje të vendimit përfundimtar për nënshtetësi zvicerane.

Me një “mbyllje syri”, paguan “si zviceran” ose 1000 franga më pak

Me rastin e paraqitjes së tij tek një filial i një kompanie të njohur sigurimi, për të siguruar veturën e tij të re, gjatë pytjes nga këshilltari i sigurimeve rreth kombësisë së tij, Suadi i sqaron atij se është në pritje të vendimit final nga kantoni, për shtetësi zvicerane.

Me këtë rast, këshilltari i thotë si me shaka, se „do ta mbyll njërin sy, e do të llogaris si shtetas zviceran“.

(KEYSTONE/Christian Beutler)

Me një „mbyllje të tillë të syrit“, nga 2550 franga, sa mund t`i kushtonte sigurimi per veturën Audi S4 të vitit 2011, Suadi përfitoi një polisë të re sigurimi për vetëm 1650 franga zvicerane dhe madje me Kasko të plotë.

Raste të tilla, që lirisht mund të quhen edhe diskriminuese, janë të shumta në Zvicër.

Por edhe më mesin e të huajve, pra atyre me çfarëdo lloj lejeqëndrimi në Zvicër, ka dallime. Me këtë rast e gjitha ka të bëjë me kombësinë e tyre, pra me vendin e prejardhjes. Një shtetas turk paguan për sigurimin e veturës së tij më shumë se një shqiptar (kosovar), apo një shtetas italian apo portugez paguan më pak se një kosovar apo turk.

Babai, shtetas turk, siguron makinën në emrin e të birit, shtetas zviceran

Edhe Ferat T, që ka shtetësi të dyfishtë, pra turko-zvicerane, ka pothuajse të njëjtin rrëfim. Para 1 viti, prindi i tij, që ka vetëm shtetësinë turke, kishte blerë një veturë të re, për sigurimin e së cilës kishte marrë ofertën më të lirë, 2700 franga.

Por pasi që me të birin ndanin një shtëpi, pra adresë të përbashkët, duke shfrytëzuar shtetësinë e dyfishtë të të birit, e siguron veturën të emër të tijin, duke arritur kështu të kursejë afër 1000 franga.

Pos kombësisë, moshës dhe gjinisë, një rol të madh në faturën e polisës së sigurimit për vetura, ka po ashtu edhe përkatësia kantonale. Nëse marrim një shembull, një shqiptar për veturën e njëjtë dhe polisën e njejtë, në 3 kantone të ndryshme duhet të marrë 3 oferta të ndryshme.

Oferta më e lirë për një shqiptar në Kantonin e Cyrihut për një veturë të tipit Audi, vlera e së cilës sillet rreth 60 mijë franga, është 2154 franga. E njëjta veturë në qytetin frankofon të Lozanës, bën 2247. Përderisa në Bellinzona të kantonit të Tiçinos, sigurimi për veturën njëjtë del të jetë më i shtrenjti, me çmimin prej 2407 frangash zvicerane.

 Tregu i madh i veturave dhe i sigurimeve të tyre

Në vitin 2018, në Zvicër kishte 6.113.791 mjete të motoriuzuara, që përbën një rritje prej 30 % në krahasim me vitin 2000. Nga ky numër, vetura personale kishte mbi 4 milionë. Duke parë këtë numër kaq të madh të mjeteve motorike, logjikisht del edhe përfundimi se në një treg të tillë edhe tregu i kompanive të sigurimit është po aq i madh, duke ofruar kështu një gamë të gjerë e të ndryshme për ata që duan t’i sigurojnë veturat e tyre.

Pagesat ndryshojnë edhe sipas kantoneve

Oferta më e lirë për një shqiptar në Kantonin e Cyrihut për një veturë të tipit Audi, vlera e së cilës sillet rreth 60 mijë franga, është 2154 franga. E njëjta veturë në qytetin frankofon të Lozanës, bën 2247. Përderisa në Bellinzona të kantonit të Tiçinos, sigurimi për veturën njëjtë del të jetë më i shtrenjti, me çmimin prej 2407 frangash zvicerane.