Kosova

Kosovë: Punonjësit shëndetësorë në grevë: “Presim pagat me ligjin e ri”

Edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës pritet ta marrë nesër vendimin për grevë për ditën e premte

Informacionet e fundit tregojnë se Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, gjatë një takimi të Këshillit të saj Drejtues, me shumicë votash mori vendim që më 13 dhjetor të mbahet grevë e përgjithshme të tri niveleve të sistemit shëndetësor parësor, dytësor dhe tretësor, me moton “Presim pagat me ligjin e ri”.

Thuhet se greva do të mbahet duke filluar nga ora 07:00 deri në ora 15:00, me kërkesën për implementimin e Ligjit për pagat që ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor, por që është dërguar në Kushtetuese nga Avokati i Popullit.

Po ashtu, vendimin për grevë për ditën e premte pritet ta marrë nesër edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Duket se kërcënimet për greva vijnë në kohën e bisedimeve për krijimin e koalicionit qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërkohë që është vendosur edhe data e mbajtjes së seancës konstituive të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës për 24 dhjetor nga ana e presidentit Hashim Thaçi, përcjell albinfo.ch.