Financa

Vonesa në krijimin e institucioneve shtyn miratimin e buxhetit 2020

Sipas njohësve të financave, mosprocedimi i Projektbuxhetit nga qeveria në largim për në Kuvend nuk prodhon ndonjë efekt

“Jo më vonë se më 31 tetor, Ministria e Financave e përgatit propozimin me ndarjet buxhetore për secilën organizatë buxhetore dhe Qeveria aprovon atë. Qeveria miraton buxhetin e propozuar dhe e dërgon atë në Kuvend”, kështu thuhet në “Informator për qytetarë – Buxheti i Republikës së Kosovës 2019”, publikuar nga Ministria e Financave.

Por, shkuarja e Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme ka bërë që buxheti i vendit për vitin 2020 të shtyhet për miratim.

Ndërsa, sipas njohësve të financave, mosprocedimi i Projektbuxhetit nga qeveria në largim për në Kuvend nuk prodhon ndonjë efekt, shkruan Telegrafi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, për Telegrafin ka thënë se kjo ministri i ka përfunduar të gjitha obligimet rreth procesit për hartimin e buxhetit për vitin 2020.

Ai tregon se drafti fillestar i buxhetit është përgatitur, por që nuk do të finalizohet deri në formimin e qeverisë së re.

“Dëgjimet buxhetore me organizatat buxhetore janë mbajtur dhe Drafti fillestar i buxhetit 2020 është përgatitur, por nuk do të finalizohet për arsye të pritjes së qeverisë në të ardhmen, pas mbajtjes së zgjedhje në Kosovë. Kështu që Ministria e Financave brenda kompetencave të veta i ka përfunduar të gjitha obligimet rreth procesit buxhetor, por duke pasur parasysh rrethanat e reja të krijuara pas zgjedhjeve Ministria e Financave do të presë deri në formim të institucioneve të reja ekzekutive dhe legjislative për veprime të tjera”, tha Shahini.