Tematike

Nëpunësja ruse përvetëson shuma të mëdha parash në Ambasadën Zvicerane

Ajo kishte deklaruar se ishte e sëmurë nga kanceri dhe kështu përmes rimbursimit të faturave mjekësore, kishte përfituar rreth 80 mijë franga

Një punonjëse e Ambasadës së Zvicrës në Moskë ka përvetësuar për vite të tëra paratë e destinuara për ambasadën. Sipas një hulumtimi të bërë nga radio SRF, rusja Natalia P. ka punuar plot 17 vjet në Ambasadën Zvicerane në Moskë, ndërsa dhjetë vjetët e fundit ajo ka qenë asistente e konsullit gjeneral.

Rasti i saj hedh dyshime edhe në përgjegjësinë e autoriteteve zvicerane në këtë drejtim.

Veprimet e saj kriminele janë zbuluar rastësisht, transmeton albinfo.ch. Një qytetar zviceran donte të martohej me mikeshën e tij ruse. Për ta realizuar këtë, atij i duhej t`i merrte dokumentet e nevojshme në ambasadë, në mënyrë që pastaj të mund të martohej në Zvicër. Lidhur me këtë, çifti kishte paguar taksat e nevojshme, me ç`rast atyre u ra në sy një faturë, për të cilën nuk u ishte dhënë dëshmia për pagesën e bërë.

Pasi që burri u ankua, ambasada në bashkëveprim me Ministrinë e Jashtme në Bernë nisën hetimin. Si rezultat, u konstatua se Natalia P. Kishte përvetësuar para në shkallë të gjerë, përcjell albinfo.ch. Ajo jo vetëm që u kishte dhënë fatura fiktive çifteve që donin të martoheshin, por po ashtu të gjitha taksat që ata paguanin për shkresat në fjalë i kishte futur në xhepin e vet.

Shumat më të mëdha të parave ajo i përvetësonte në rastet e faturave të rrejshme të mjekëve. Natalia P. ishte e siguruar nga punëdhënësi, si punonjëse e ambasadës. Ajo kishte deklaruar se ishte e sëmurë nga kanceri dhe kështu përmes rimbursimit të faturave mjekësore, kishte përfituar rreth 80 mijë franga, derisa u zbulua.

Sigurisht Natalia P. i ka mohuar të gjitha para Radio SRF. Për më tepër ajo ka kaluar në kundërsulm, duke u paraqitur si viktimë e një skeme komploti. Ajo ka thënë madje se është ngacmuar seksualisht nga ambasadori, i cili, sipas saj, ka bashkëpunuar me shërbimin sekret rus dhe me mafinë.

Ministria e Jashtme e Zvicrës ka sqaruar edhe këto akuza dhe i ka hedhur të gjitha poshtë, përcjell albinfo.ch. Ajo i ka shprehur besim të plotë ambasadorit dhe stafit të tij. Po ashtu ministria ka vërtetuar përvetësimet e konstatuara nga radio SRF.

Por, shkruan srf.ch, ndërkohë disa pyetje të tjera mbeten pa përgjigje. Për shembull: përse ambasada nuk e ka zbuluar vetë përvetësimin për të cilin u bë fjalë? Dhe, çfarë përfundimesh janë nxjerrë në lidhje me ambasadat e tjera.