Kosova

Vajza e mbetur në Siri, të afërmit presin që të kthehet

Më shumë se sa për t’iu bashkuar njeriut të jetës, ajo iku nga gjykimet e paragjykimet e prindërve, vëllezërve e shoqërisë për zgjedhjen e bashkëshortit që të jetë pjesë e organizatës terroriste.

Një vit pas qëndrimit në Siri, i shoqi i saj humbi jetën në betejë.
Megjithëkëtë, kjo nuk i mjaftoi që t’i kthehej familjes, pavarësisht lutjeve të së motrës.

Më e lehtë për të ishte përballja me luftën, se sa fjalët e familjarëve.
Gjatë ikjes ajo u plagos me dy plumba në trup, plagët e së cilës nuk iu trajtuan për tre muaj nga ushtria kurde, e cila i mbajti të arrestuar.

Ajo sot është përjashtuar nga familja, e motra tregon se për të flet vetëm me të ëmën.

Ajo arrin t’u shkruaj shumë rrallë përmes telefonave të grave siriane, e për herë të fundit u është lajmëruar më 12 tetor, kur edhe ka shprehur vullnetin të largohet pas tensionimit të situatës si pasojë e sulmeve turke.

Tash ajo pret që e motra e saj të bie në duart e ushtrisë turke dhe të kthehet në vendlindje.